Ministrat e G20-s në Argjentinë: Themeli i prosperitetit, tregtia e lirë

schedule23:18 - 19 Mars, 2018

schedule 23:18 - 19 Mars, 2018

Të mbledhur në Argjentinë, ministrat e Financave të vendeve të grupimit G20 kanë shprehur shqetësimin për masat proteksioniste të administratës amerikane. Njëzëri, ata kanë theksuar se tregtia e lirë është zgjidhja e duhur për sfidat e ditëve të sotme.

 

Krerët e financave botërore kanë kërkuar të hënën miratimin e një marrëveshjeje për tregtinë e lirë dhe heqjen dorë nga proteksionizmi, pas vendimit të administratës amerikane për të vendosur tarifa mbi çelikun dhe aluminin e importuar. Njëzëri, ministrat kanë shprehur frikën e tyre se bashkë me masat e Shteteve të Bashkuara kundër Kinës situata mund të kalojë gradualisht në një luftë tregtare, që do të dëmtonte rritjen ekonomike globale. Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave të 20 ekonomive më të mëdha në botë janë mbledhur në Buenos Aires për të diskutuar mbi perspektivën ekonomike, qarkullimin e kapitaleve, ndikimin e valutave elektronike dhe parandalimin e evazionit fiskal nga kompanitë shumëkombëshe. Por, vendimi i njëanshëm i presidentit Trump për të vendosur tarifat prej 25 dhe 10 për qind për çelikun dhe aluminin është kthyer në pikën kyçe të takimit. “Druhem se themeli i prosperitetit tonë, që është tregtia e lirë, ndodhet në rrezik. Proteksionizmi nuk është përgjigjia e duhur ndaj sfidave të vështira të kohës sonë. Situata është shumë serioze”, ka thënë ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz. Scholz ka bërë me dije se më vonë gjatë javës do të përpiqet të bindë Uashingtonin të heqë dorë nga planet e tij, ndërkohë që ministrat e vendeve të tjera ndanë të njëjtin shqetësim me Gjermaninë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!