Ministrat e financave të BE kanë zhvilluar një takim në Bruksel me homologët e tyre të vendeve të Ballkanit perëndimor. Stabiliteti makroekonomik në këtë rajon dhe politikat buxhetore ishin tema kryesore e diskutimeve.
Në rendin e ditës së takimit të ministrave të financave të Bashkimit Evropian në Bruksel është përfshirë edhe takimi me ministrat e financave të Ballkanit. Takimi me ministrat e financave të Ballkanit është zhvilluar nën kryesinë e trios së presidencë aktuale rumune të Bashkimit Evropian dhe presidencave të ardhshme finlandeze dhe kroate.
Në qendër të takimit kanë qenë stabiliteti makroekonomik i vendeve të Ballkanit dhe politikat buxhetore. Bashkimi Evropian i kushton një vëmendje të veçantë këtyre politikave, si reforma kyçe për zhvillimin e rajonit në kuadrin e para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ndërsa për vendet e Ballkanit është shumë i rëndësishëm ecuria pozitive e reformave ekonomike për të thithur sa më shumë investime të huaja direkte në rajon, ku Serbia mban aktualisht vendin e parë. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian kanë shqyrtuar gjithashtu parashikimet ekonomike në zonën Euro për vitin 2019.
Pavarësisht ngadalësimit në fund të vitit 2018, të dhënat e tremujorit të parë për këtë vit tregojnë një rritje për sa i përket ritmit të rritjes së ekonomive të mëdha. Rrjedhimisht, vlerësohet që edhe pse me një ritëm modest, rritja e krijimit të vendeve të punës do të vazhdojë këtë vit. Rreziqet ekzistuese për ekonomitë evropiane vijnë nga tensionet e tregtisë dhe pasiguria e Brexit./ABC News Albania 24/7