TIRANË- Deputetja e Partisë Socialiste dhe njëherësh kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, ka deklaruar në “Sheshi i Dollarit” se ekonomia shqiptare po tregon qëndrueshmëri dhe ritme pozitive zhvillimi edhe gjatë këtij viti.
Ajo theksoi se, pavarësisht goditjeve që ka përjetuar vendi vitet e fundit, bilanci pozitiv është një tregues i fortë i qëndrueshmërisë ekonomike.
Sipas Ekonomit, kursi aktual dhe projeksionet ekonomike tregojnë se ekonomia shqiptare po ecën në një drejtim të qëndrueshëm dhe me pritshmëri optimiste për të ardhmen.
“Edhe në këtë vit që jemi, bilanci i deficitit primar është pozitiv çka tregon se ekonomia shqiptare ka arritur ta financojë vetë rritjen.
Ne kemi qenë një ekonomi me shumë goditje, por ndërkohë ia dolëm që të kemi bilanc primar pozitiv, dhe ky bilanc, tregon se ne e financojmë vetë rritjen dhe prandaj dhe parashikimi është pozitiv, sepse ekonomia shqiptare siç janë kurset deri tani, siç janë projeksionet, është një ekonomi që po përparon mirë.”, tha ajo./abcnews.al

