Miluoki vazhdon të jetë skuadra më e mirë e basketbollit amerikan. Një pretendent i papritur i ka lënë prapa të gjitha skuadrat e mëdha të NBA-së.
Sot për sot, askush nuk është si ata. Miluoki Baks mbetet numri 1 në renditjen e kombinuar të NBA-së, dhe lider në Konferencën Lindore, duke lënë pas “superfuqi” si Bostoni, Toronto, Golden Stejti apo Hjustoni. Skuadra e qytetit të bukur verilindor amerikan tregoi forcën e saj dhe në Arenën e Bruklinit, duke triumfuar bindshëm, 113-94. Edhe një herë, protagonisti kryesor ishte Janis Antetokumpo, ish-emigranti afrikan që gjeti fatin e parë në Greqi, dhe të dytin në NBA.
Ai shënoi 30 pikë, kapi 15 topa në tabela dhe bllokoi 3 gjuajtje të kundërshtarëve. Gjithsesi, do të ishte gabim të thuhet se Antetokumpo ishte i vetëm përballë Netsave. Në të vërtetë, ai luajti vetëm 30 minuta, pak për standardet amerikane, pasi trajneri Majk Badenholzer, ka luksin të aktivizojë shumë lojtarë.
Brogdon shënoi 16 pikë, Bledsou 15, dhe Kris Midëllton 12, si ndihmësit më të mirë të Antetokumpos. Miluoki ka 39 fitore e 13 humbje, një bilanc shumë i mirë, diçka që jep shpresë të mbërrihen nivelet e larta të vitit 1972, kur u fitua titulli i parë dhe i vetëm në NBA.
Skuadra e asaj kohe, nën udhëheqjen e Karim Abdul Xhabarit dhe Oskar Robertsonit, pati bilancin 66 fitore e 16 humbje, duke mos njohur asnjë rival derisa u shpall kampione.
Antetokumpo shpreson të ndjekë gjurmët e Xhabarit, ndonëse tifozët nuk duan që ta bëjë deri në fund, pasi shtatlarti i atëhershëm u largua për tek Lejkërsat, me të cilët u bë edhe më shumë i famshëm dhe fitoi shumë më tepër tituj./abcnews.al