Për ish-ministrin e Jashtëm Paskal Milo, Ballkani i Hapur është i paplotë për sa kohë nuk ka dakordësinë e të gjashtë vendeve të Ballkanit të Perëndimor. I ftuar në Radarin Informativ në ABC, Milo u shpreh se ky bashkim i arritur deri më tani rrezikohet edhe më shumë në rast se pas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoninë e Veriut, do të vijë në pushtet VMRO-DPMNE, e cila është shprehur kundër kësaj nisme.
“Lëvizja e lirë e personave është pozitive. Ka të bëjë me zhvillimin e turizmit. Ne jemi të interesuar të na vijnë sa më shumë turistë. Lëvizjet e tjera, si ajo e kapitaleve, janë shumë më të vështira. Ai që prodhon më shumë dhe më lirë, fiton më shumë.
Ekonomia e vogël nuk e mund dot ekonominë e madhe. Mund të kemi mallra prioritare që mund të gjejnë treg. Ekonomia më e madhe dhe më e fortë do ketë përparësi. Ky proces do ketë vështirësi në mënyrë të veçantë për shkak të gjendjes së rajonit. Mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme në Maqedoni. Nëse fiton VMRO-DPMNE, që është shprehur kundër. Kjo do e linte Ballkanin e Hapur me dy vende”, tha Milo.
Ai u shpreh se nuk duhet të krijohet optimizëm fals për sa kohë Kosova dhe dy vendet e tjera nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur.
“Mendoj që mungesa e Kosovës, dhe jo vetëm e saj, por edhe dy vendeve të tjera, është domethënëse dhe nuk duhet të krijojë optimizën false. Nuk duhet t’u biem këmbanave të fitores dhe suksesit. Nëse synojmë bashkëpunim, duhet të jenë vendet bashkë. Shihet me idenë dhe mendimin që këto vende do bashkohen rrugës.
Karremi që do i marrë këto vende është përfitimi ekonomik. Prandaj janë ftuar edhe biznesmenët e mëdhenj për ta bërë sa më bindës dhe tërheqës për të tjerët. Fakti që u vendos të krijohet këshill ndërministror për tregtinë dhe për të nënshtruar marrëveshje konkrete në Tiranë, është strategjia për ekonominë”, deklaroi Paskal Milo.
Nga ana tjetër Milo u shpreh se tre liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut po ndjekin strategjinë që ka ndjekur BE në gjenezat e saj, duke ofruar bashkëpunim ekonomik mes vendeve, për t’u bërë kështu më tërheqës. Këtu ai përmendi edhe ftesën e kryeministrit Edi Rama për bizneset nga vendet që nuk janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur.
“Në një analizë të ftohtë, duhet parë me realizëm që të mos përfundojë edhe kjo nismë si shumë të tjera. Edhe nisma të tjera më të rëndësishme në Ballkan kanë përfunduar në histori siç përfundoi edhe vetë procesi i Berlinit. Të tre liderët, kanë gjykuar që të këmbëngulin në një aspekt tërheqës, bashkëpunim ekonomiko-tregtar.
E kanë nisur me nota optimiste. Kanë huazuar përvojën fillestare të BE. Kur nisi procesi i ndërtimit të BE, filloi me bashkëpunimin ekonomik. Qymyri gjerman u “martua” me çelikun francez. Pastaj është tregtia. Hapja e kufijve për bashkëpunimin ekonomik. Rama tha që deri në dhjetor do bashkohen në nismë edhe biznese nga vendet që nuk janë ende pjesë e procesit”, tha ish-ministri. m.v/Abcnews.al