Militantët e “Boko Haram” bastisin shkollën, zhduken 50 vajza

schedule19:55 - 21 Shkurt, 2018

schedule 19:55 - 21 Shkurt, 2018

Rreth 50 vajza adoleshente në Nigeri dyshohet të kenë rënë në duart e grupit terrorist “Boko Haram”, pas një sulmi të militantëve në një shkollë. Ndërkohë, autoritetet ngurrojnë ta cilësojnë ngjarjen si një pengmarrje.

Të paktën 50 vajza nigeriane konsiderohen të zhdukura në Nigeri pas një sulmi, që militantët e grupit terrorist “Boko Haram” bënë në shkollën e tyre. Guerrilasit bastisën shkollën ditën e hënë, në një orë kur shumë nxënës dhe mësues ishin larguar.

Kjo bëri që autoritetet të mendonin se edhe vajzat i kishin shpëtuar dhunës, por kur kanë kaluar dy ditë, vendndodhja e tyre nuk dihet ende. Sulmi në fjalë ngjason me atë të 4 viteve më parë, kur militantët sulmuan një shkollë në qytetin Çibok dhe rrëmbyen mbi 270 vajza.

Sulmi i fundit ka ndodhur në qytetin Dapçi, në shtetin e Jobes, rreth 275 kilometra në veri-perëndim të Çibokut. Njerëz që jetojnë pranë shkollës kanë deklaruar për BBC se gjysma e vajzave që ishin larguar janë gjetur, pasi ishin fshehur në fshatrat përreth.

Nga ana e tyre, autoritetet nuk e klasifikojnë ngjarjen si pengmarrje dhe deklarojnë se shumë nxënëse dhe mësues mund të jenë fshehur në zonat pyjore për t’i shpëtuar guerrilasve dhe mund të gjenden në orët në vazhdim. Por shumë prindër thonë se 51 vajzat janë ende të zhdukura dhe druhen se do të shfrytëzohen për qëllime seksuale nga anëtarët e “Boko Haram”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!