Ligji i luftës është një ndër çështjet më të diskutuara midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ky ligj, i vitit 1940 nuk është shfuqizuar, ndërkohë që palët kanë ende çështje të tjera pezull si deti dhe Çamëria.
Në studion e “Log.” me Endri Xhafon, analisti Mentor Nazarko sjell në vëmendje arsyet pse Greqia nuk e shfuqizon këtë ligj. Analisti kujton se janë miliarda euro në mes. Bëhet fjalë për atë që njihet si “llogaria e pronave armike”. Siç thotë ai, Greqia ka një faturë prej miliarda eurosh për të paguar për pronat e sekuestruara ndaj shtetasve shqiptarë në atë kohë.
Lexo edhe: Çfarë problemi kishte marrëveshja detare me Greqinë në 2009-n? Kolonel Pashaj: Gjithçka ishte gabim
“Kur mbaron gjendja e luftës do të thotë që dy shtete të bëjnë hesapet. Greqia nuk pranon një moment që Shqipëria nuk ishte shtet sovran. Kur u sulmua Greqia nga territori i Shqipërisë nuk ishte sovrane. Greqia nuk e heq se ka një faturë. Vlera e pronave është miliarda euro. Ato prona iu dhanë në përdorim shefit të Kadastrës. Është një llogari e pronave armike. Kjo është arsyeja pse nuk shfuqizohet ligji i luftës sepse Greqia na ka miliarda euro”, thotë ai.
Sakaq, profesori Ksenofon Krisafi thekson se dy vendet duhet të gjejnë vullnetin për të hequr këtë ligj të vjetër, pasi vetëm në këtë mënyrë relaksohen marrëdhëniet.
“Qeveritë e dy vendeve duhet të gjejnë kurajo që ta heqin këtë vjetërsirë. Ligji i luftës kishte të bënte me pronat e shtetasve të vendeve armike. Ishin shqiptarët e Shqipërisë këtu. Heqja e tij relakson totalisht marrëdhëniet shqiptaro-greke. Një problem tjetër është varrezat greke, një tjetër është rrjedhja e ujërave të ëmbla”, tha ai. g.v/abcnews.al