Milani mori një tjetër goditje në një sezon tepër të vështirë për të. Barazimi në fushën e Bolonjës, në Serinë A, tregoi se skuadra e trajnerit Gatuzo nuk do ta ketë të lehtë të arrijë Championsin.
Nuk është e lehtë të kthehet koha e lavdishme. Milani nuk mundi të kalonte në Bolonjë, duke u ndalur në një barazim 0-0 për Serinë A, në një tjetër ngecje drejt synimit kryesor të sezonit. Skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo u detyrua të kënaqej me vetëm 1 pikë, dhe të mos niste shkëputjen nga rivalët për vendin e katërt që të kualifikon për në Champions. Kuqezinjtë kanë 27 pikë, shumë pranë me Lacion, Atalantën, Romën, Sampdorian apo Fiorentinën, pa harruar Sasuolon. Vendet e para, Juventusi, Napoli dhe Interi po shkëputen gjithnjë e më shumë, një tregues I qartë I mundësive të sotme të milanistëve.
“Ne nuk mundëm t’ia dilnim në Bolonjë, – deklaroi trajneri Gatuzo, – gjithsesi, në këtë fushë nuk ishte e mundur ndryshe. Interi fitoi po me këtë stil, Roma humbi. Nga ana cilësore, ishte një ndeshje mediokre”. Mediat italiane nuk është se e falën skuadrën e madhe. “As Milani dhe as Pipita”, shkruan “La Gazeta delo Sport”, në fushën e ngritë të Bolonjës, Higuain bën 7 ndeshje pa shënuar gol”. “Il Korriere delo Sport” vazhdon duke titulluar se “fitoi vetëm Pipo”, duke e pasur fjalën për Inzagin, trajnerin e Bolonjës, që sipas gazetës ndaloi një Milan të shëmtuar. Kjo ishte goditja e radhës për klubin e madh milanez, pas dy lajmeve negative që erdhën këto ditë.
Së pari, gjoba prej 12 milionë eurosh vendosur nga UEFA, një nga gjobat më të mëdha në histori, për shkeljen e Lojës së Ndershme Financiare. Po ashtu, dënimi I mundshëm me 1 vit përjashtim nga Europa, nëse kjo vazhdon. Goditja tjetër ishte eleminimi nga Liga e Europës, pas disfatës në fushën e Olimpiakosit, me një objektiv më pak për të luftuar këtë sezon, me humbje të tjera financiare, dhe me dëm të madh për besimin./abcnews.al