E ardhmja e Elseid Hysajt është ende e paqartë. Nga 1 korriku mbrojtësi i Napolit del lojtar i lirë dhe gjasat për të rinovuar janë thuajse zero. Emri i shkodranit së fundmi është lakuar në shumë klube.
Milani është një prej tyre, ndërkohë që në skenë ka dalë edhe Interi. Në Itali raportojnë se Hysaj i është ofruar zikaltërve nga ana e menaxherit të tij, Mario Giuffredi.
Gjithsesi kryesuesit e Serie A nuk janë të interesuar për Hysajn, pasi kanë në të djathtë Mateo Darmian. Ata janë në kërkim të një anësori të majtë dhe jo të një lojtari që luan në ë dy krahët.
Roma, sipas mediave në vendin fqinj, mund të kthehet në favoritin kryesor për Hysajn, sidomos nëse do të zgjidhet si trajneri Maurizio Sarri, me të cilin lojtari i Shqipërisë ka punuar tek Empoli dhe Napoli. /abcnews.al