Milani blen Ante Rebiç nga Frankfurt, Roma nënshkruan me Mikitarjan dhe Kaliniç

schedule16:00 - 2 Shtator, 2019

schedule 16:00 - 2 Shtator, 2019

Pak orë na ndajnë nga mbyllja e merkatos së transferimeve dhe skuadrat po bëjnë lëvizjet e fundit. Milan dhe Roma në Itali kanë zyrtarizuar përforcimet e radhës.

Goditja e radhës në merkato për Milanin është sulmuesi kroat Ante Rebiç. 25 vjeçari ka kaluar në huazim një vjeçar, por me detyrim blerje. Pjesë e kësaj marrëveshje është edhe sulmuesi Andre Silva i cili do të luajë me skuadrën e Frankfurtit. Milani do të paguajë në arkat e skuadrës gjermane 25 mln euro në fundin e edicionit aktual.

Kuqezinjtë nuk ndalen me kaq, pasi synojnë të transferojnë edhe futbollistin e Shakhtar Donjeckut, Taison, por oferta e parë e kuqezinjve është refuzuar nga drejtuesit e klubit ukrainas.

Nuk ndalet as Roma, e cila ka zyrtarizuar një goditje të dyfishtë në merkato. Verdhekuqtë kanë huazuar për një sezon sulmuesin kroat Nikola Kaliniç kartonin e të cilit e zotëron skuadra e Atletiko Madrid. Mbipopullimi i sulmit tek madrilenët i ka hapur dyert kalimit tek Roma. Roma ka të drejtën e blerjës në fundin e sezonit për 15 mln euro. Kujtojmë që Kaliniç ka luajtur më parë në Itali me skuadrën e Milanit dhe Fiorentinës.

Përforcimi tjetër në radhët e Romës është mesfushori armen Mikitarian. 30 vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit Emery dhe është huazuar tek kryeqytetasit për një sezon. Kontestimet e tifozëve romakë ndaj drejtuesve të klubit nuk kanë munguar për shkak të pasivitetit në merkato, ndërkohë që dy blerjet e fundit mund të risjellin qetësinë në kampin e Romës.