Milan humbet “trenin” e Champions/ Kritika të ashpra nga tifozët, Conceicao rrezikon pankinën

schedule12:38 - 28 Shkurt, 2025

schedule 12:38 - 28 Shkurt, 2025

Milan humbet atë që mund të ishte treni i fundit për në Champions, duke u mudnur me përmbysje 2-1 në transfertën e Bolonjës, në sfidën e prapambetur të Serie A.

Një tjetër disfatë, që konfirmon sezonin e dështuar të skuadrës kuqezi, që nuk ndryshoi as pas uljes në stol të Serxho Konseisao dhe blerjeve të rëndësishme në merkaton e dimrit.

Rafael Leao kaloi Milan në epërsi në minutën e 43-të. Rrjeta e sulmuesit portugez ishte shkëndija e vetme për kuqezinjtë, që mbyllën pjesën e parë në epërsi.

Por shpresat e miqve për fitore u shuan shumë shpejt pas pushimit.

Vetëm tre minuta nga rinisja e sfidës, Bolonja gjeti golin e barazimit me Kastro.

Për reagimin e Milan as që bëhet fjalë. E rrëmujshme dhe aspak frytdhënëse loja e të besuarve të Konseisao, që në minutën e 82-të mori goditjen e KO.

Shpërqëndrimi i radhës në mbrojtje I dhuroi të zotëve të shtëpisë golin e dytë të shënuar nga Ndoje, që vulosi fitoren e tyre dhe humbjen e Milan.

Me këtë dështim, skuadra kuqezi mund të kapet fort vetëm pas matematikës në garën për një vend në Champions League. Por shifrat janë kundër, pasi renditet në vendin e tetë me 41 pikë, plot tetë pika larg Juventus, që për momentin ka në dorë biletën e fundit për në turneun më të rëndësishëm të futbollit europian.

Po ashtu edhe lajmet që rrethojnë Milan nuk japin shpresë, pasi mediat italiane kanë nisur të flasin për një tjetër ndryshim në pankinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!