Milan e Atalanta duan “parajsën”/ Champions, dy italianet synojnë sot kualifikimin

schedule14:38 - 18 Shkurt, 2025

schedule 14:38 - 18 Shkurt, 2025

Nuk janë mirë edhe pse ndryshimi ndihet.

Milani nuk është ende bindës edhe pse fitoi Superkupën e Italisë, dhe triumfoi në javën e fundit të Serisë A.

Objektivi I madh, kualifikimi në Champions, është në rrezik pas humbjes më Holandë ndaj Fejënordit, ndonëse flitet për një rezultat 0-1.

Kuqezinjtë, shtatë herë kampionë të Europës, gjithsesi, e kanë për detyrë suksesin dhe kualifikimin nëse duan të kthehen sado pak te kohët e arta.

Trajneri Serzhio Konseisao ka disa mungesa si Loftus-Çik, Florenci apo Emerson Rojal, por në formacion kthehen Leao e Pulishiç, dhe Himenez pritet të luajë ndryshe nga ndeshja e parë.

Favor për italianët është që Fejënordi vazhdon pa trajner, është dobët në kampionat dhe ka të paktën 6 mungesa.

Legjenda kuqezi, sot drejtues, Zllatan Ibrahimoviç, kërkon mbështetjen e tifozëve.

“Tifozët tanë janë të rëndësishëm, ashtu siç ishin tifozët e Fejënordit në Roterdam, që I dhanë një ndihmë shumë të madhe skuadrës së tyre. Jam shumë I bindur se këtë herë do të jetë një ndeshje tjetër, shumë e ndryshme, me gati 80 000 milanistë në stadium, ndonëse do të na ndihmojnë edhe ata që janë jashtë stadiumit, në të gjithë botën. Ata do ta nxisin ekipin për të bërë më të mirën e mundshme. Skuadra duhet ta marrë këtë energji, këtë shtysë për të qenë gati për suksesin”.

Skuadra tjetër italiane që kërkon kualifikimin është Atalanta.

Bergamaskët u mundën me polemika në Belgjikë, 1-2 nga Klub Bryzhi, dhe padyshim që nuk do të jetë e lehtë, ndërsa mungesat vazhdojnë.

Lojtarëve të tillë si Skalvini, Skamaka dhe Maldini i shtohet edhe mbrojtësi titullar, Hien, i cili ka dëmtim.

Gjithsesi, që nga minuta e parë pritet të luajë kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, që u mbajt në stol fundjavën e kaluar në Serinë A.

Trajneri Gasperini kërkoi vetëm që arbitrimi të ishte ai i duhuri dhe shprehu besimin se Atalanta e tij mund t’ia dalë.

Me dy skuadra në të tetat e Championsit, me Juventusin që gjithashtu ka shpresë dhe me Interin të kualifikuar, Italia do të kishte katër përfaqësues në konkurrimin kryesor europian, pra edhe më shumë shanse për të pretenduar trofeun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!