Humbja e rëndë në derbin e vlefshëm për gjysmëfinalen e parë të Champions League kundër Interit, nis të shkaktojë thashetheme për të ardhmen e një Milani që duhet të rinovohet. Pas Scudetto së vitit të kaluar, këtë sezon, nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli në Evropë, do të mbyllet pa tituj dhe do të jetë koha për të luftuar deri në fund për të qenë të aftë për të luajtur në Champions sezonin e ardhshëm.
Hapi i parë është rinovimi i Leao, i cili është një hap larg mbylljes së marrëveshjes pas një telenovele të gjatë, por duhet edhe ndarja me disa lojtarë dhe në fakt rindërtimi i skuadrës.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, mund të largohen deri 10 lojtarë nga kuqezinjtë dhe ndeshja e së mërkurës dërgoi sinjale të qarta për këtë nevojë.
De Ketelaere dhe Origi, nënshkrimet e verës së kaluar, ishin dy zhgënjime të mëdha, por vështirë se do të largohen. Në listën e largimeve të mundshme, nga ana tjetër, janë Tatarusanu, Mirante, Bakayoko, Ibrahimovic, Dest, Vranckx, Adli, Ballo Toure, Rebic dhe Messias. Pa përjashtuar ndonjë shitje të papritur.
Reparti sulmues do të ketë nevojë për një të ri dhe, megjithëse është herët për të folur për negociata, tashmë janë dy emra të njohur. Marko Arnautovic i Bologna dhe Alvaro Morata, me spanjollin që shikohet si një mundësi e artë për shkak të talentit të tij, por edhe faktit se kontrata i skadon në vitin tjetër./ h.ll/abcnews.al

