Shërbimit të Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” i është shtuar pajisja e mikroskopit digjital. Ndryshe nga mikroskopi i zakonshëm optik, pajisja e re, falë teknologjisë së avancuar, e shfaq imazhin ku do kryhet operacioni në ekran, duke ua lehtësuar punën ekipit ne salle.
“Pajisja quhet mikroskop operator, ajo na shërben neve për të zmadhuar pamjet gjatë operacionit dhe për të punuar në struktura të shumë të imta, shumë të vogla, që ne ti shohim me qetësi të madhe dhe duke arritur hyrjen në tru në vende të veçanta, të thella, pa bërë dëmtimin e trurit”.
Shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë, Artur Xhumari, thotë se kjo pajisje rrit sigurinë dhe efikasitetin e ndërhyrjes tek pacienti, duke minimizuar komplikacionet post operacioni. Një tjetër përfitim, sipas neurokirurgut është trajtimi i studentëve të mjekësisë, të cilët mund ta ndjekin të gjithë procesin në monitor.
Përfitimet janë në disa fusha, në disa plane. I sëmuri do ketë mundësin të përfitoj një operacion më të sigurt. Kemi operacione të standardit të zakonshëm, të komplikuar, dhe shumë të komplikuar. Përfiton duke e shkurtuar kohën e operacionit, e cila do sjell uljen e rrezikut të infeksionit, sjell qëndrime më të pakta në spital. Shton bashkëpunimin mes stafit të kirurgjisë, nëse me mikroskopin e kaluar është vetëm kirurgu që sheh imazhin kryesor, në këtë rast si asistensti, si infermieri, apo studenti që po mëson janë të gjithë pjesë e të njëjtit veprim. Shohim të gjithë të njëjtën gjë, dhe mësojmë nga njëri-tjetri. Gjithashtu edhe kolegu im nëse i kërkoj ndihmë, e ka shumë të qartë se ku është problemi, dhe bën maksimalin. Një përfitim që ndoshta duket jo i rëndësishëm por, me kalimin e kohës do duket i tillë, është dhe komoditeti i kirurgut. Mikroskopi optik koka e sytë rrinë ulur, ndërsa me këtë digjital, ne rrimë drejt e shohim në ekran të madh. Është më komode për të vepruar, lodhesh më pak dhe më i zoti për të bërë veprimet”, u shpreh ai.
Kjo pajisje, u vjen në ndihmë operacioneve të neurokirurgjisë si të trurit dhe të shtyllës kurrizore. Në vit, mesatarisht kryhen rreth 1700 operacione të tilla, ku rreth 30% prej tyre kanë nevojë për mikroskopin digjital.
“Neve kemi afërsisht 1700 operacione në vit me tre salla operatore që kemi. Në lidhje me mikroskopin janë 25-30% e operacioneve që kanë nevojë përdorimin e këtij mikroskopi për të arritur standardin normal”, tha ai.
Spitali i Neurokirurgjisë në Tiranë përbëhet nga tre salla operacioni, të pajisura tashmë me mikroskop.

