Kreditë e vogla ndihmojnë biznesin/ Arlinda Muja: Kriza e kredive të këqija nuk erdhi nga mikrofinanca

schedule20:21 - 27 Shtator, 2024

schedule 20:21 - 27 Shtator, 2024

TIRANË- Presidentja e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, Arlinda Muja duke folur në “Sheshin e Dollarit” u shpreh se institucionet dhe aktorët që mbledhin kreditë, duhet të monitorohen nga Banka e Shqipërisë.

Ajo theksoi se kreditë e vogla e ndihmojnë biznesin, ndërsa shtoi se kriza e kredive të këqija nuk ka ardhur nga mikrofinanca.  Muja theksoi se mbledhja e kredive do duhet t’u jepet atyre institucioneve, të cilat nuk kanë në profilin e tyre të punës, dhënien e kredive.

“Kjo ishte e nevojshme për t’u kryer, sepse të gjithë këto kredi të blera, që shiteshin në një palë të tretë duhet të mbeteshin brenda kontrollit të bankës qendrore. Mund të ishte licencuar në një kategori tjetër, jo nën kategorinë e institucioneve që jepnin kredi”, tha ajo.

Ajo shtoi se të gjithë ato subjekte që kanë shkelur ligjin do duhet të përballen me pasojat ligjore.

“Mendoj se çfarëdo lloj gjëje që ndodh në një industri duhet analizuar në mënyrë të veçantë dhe nuk duhet hedhur poshtë e gjithë industria. Ky është një fenomen që duhet izoluar dhe ata që kanë shkelur në mënyrë joligjore dhe jo-etike duhen dënuar”, tha ajo.