Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka anuluar udhëtimin dy-ditor në Europë.
Njoftimi është bërë nga ana e Departamentit të Shtetit. Ky mund të kishte qenë udhëtimi i fundit diplomatik i nivelit të lartë nga ana e administratës së presidentit në largim të SHBA-së, Donald Trump. Pompeo kishte planifikuar të vizitojë Brukselin dhe Luksemburgun.
Sipas njoftimit, anulimi është bërë për të ndihmuar “një proces tranzicioni të qetë dhe të rregullt” në administratën e ardhshme presidenciale. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do të marrë detyrën më 20 janar. Anulimi erdhi mes përpjekjeve për të dëbuar Trumpin nga zyra për shkak të sulmit të dhunshëm ndaj Kongresit të SHBA-së të kryer nga mbështetësit e tij më 6 janar.
Pompeo pritej të takohej me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe udhëheqësit belgë dhe të zhvillojë një vizitë të shkurtër në Luksemburg.
Vetë Pompeo u vu nën kritika pasi në mesin e polemikave mbi humbjen e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit ai tha se presidenti do të shërbente edhe për një mandat të dytë.
Pompeo ka dënuar dhunën e kryer nga mbështetësit e Trumpit në Kongres, ku mbetën të vdekur pesë persona. Protestuesit e dhunshëm pro-Trump hyn në Kongres në kohën kur po certifikohej rezultati i fitores së Bidenit./abcnews.al