Mijëra protestues në Budapest kundër kryeministrit Orban

schedule21:54 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 21:54 - 18 Dhjetor, 2018

Me mijëra persona në Budapest vazhdojnë të protestojnë kundër kryeministrit Viktor Orban. Mbrëmjen e së hënës u dhunuan dy deputetë të opozitës, të cilët u përpoqën të lexonin në television kërkesat e protestuesve.

Nuk ndalojnë protestat kundër Viktor Orban në Budapest, ku mbrëmjen e së hënës u dhunuan dhe dy deputetë të opozitës. Këta të fundit u përpoqën të lexonin disa kërkesa të protestuesve para telekamerave të televizioneve. Por ata u rrahën dhe u nxorën jashtë nga ambientet e televizionit. Kryeministri Orban reagoi për këtë ngjarje duke thënë se deputetët e opozitës kishin abuzuar me mandatin e tyre dhe kishin nxitur dhunën. Ngjarja ndodhi në ditën e gjashtë të mobilizimit popullor: mijëra persona protestuan dhe pasditen e të hënës tetë deputetë të opozitës hynë sërish në një studio televizive në shenjë proteste. Ata kërkuan të flisnin me drejtuesit e televizionit, por dhe këtë herë u ndaluan.

Manifestimet kundër kryeministrit Viktor Orban nisën për shkak të miratimit të ligjit për orët e punës jashtë orarit dhe që kritikët e cilësojnë si ligji i skllavërisë. Qeveria aktuale e cila prej vitesh i ka shpallur luftë emigrantëve, miratoi një ligj që parashikon deri në 400 orë pune jashtë orarit për të plotësuar mungesën e krahut të punës për të cilën ankohen sipërmarrjet vendase. Po të hënën, komisioni i Venecias, orgam këshillues i Këshillit të Europës, rrëzoi një tjetër ligj hungarez atë të ‘Stop Soros’, me të cilin sanksionohet ndihma humanitare që u jepet emigrantëve nga organizatat jo qeveritare. Por zyra e kryeministrisë hungareze reagoi duke thënë se do të protestohet në çdo seli ligjjore pasi ky vendim ishte politik dhe jo juridik.

Shumë hungarezë, sidomos të rinjtë, shfaqen të pakënaqur nga kthesa që la marrë vendi, dhe prej ditësh shprehin zemërimin e tyre ndaj qeverisë me protesta. Mbrëmjen e së hënës një grup protestuesish u mblodhën para selisë së televizionit publik “Mtva” me një peticion ku ishin kistuar kërkesat e tyre kryesore: tërheqja e ligjit të skllavërisë, anulimi i gjykatave special të kontrolluar nga qeveria, anëtarësimi i Hungarisë në prokurorinë europiane, dhe pavarësinë e mediave publike tashmë të kontrolluara nga qeveria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!