Rreth 700 migrantë dhe refugjatë nga kampi “Lipa”, rreth 30 kilometra nga Bihaqi, në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët do të duhej të transferoheshin me autobus në një lokacion tjetër, janë kthyer sërish në kamp, të mërkurën më 30 dhjetor.
“Migrantët do ta kalojnë këtë natë nën qiellin e hapur, në livadhin ku ishte kampi ‘Lipa’, sepse IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migrantë) i hoqi të gjitha çadrat”, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri i Brendshëm në kantonin Una-Sana, Nermin Kljajiq.
Kampi “Lipa” ishte një vendstrehim i përkohshëm, pasi kampi “Bira” në Bihaç u mbyll nga ana e autoriteteve në muajin shtator.
Më 23 dhjetor, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) janë tërhequr nga kampi i përkohshëm i migrantëve Lipa dhe kanë ndërprerë ndihmën në këtë kamp.
Në të njëjtën ditë, një nga çadrat është përfshirë nga zjarri dhe pjesa më e madhe e kampit është shkatërruar.
Të martën, më 29 dhjetor njëmbëdhjetë autobusë u dërguan nga Sarajeva, për të transportuar migrantë nga kampi “Lipa”.
Ministri i Sigurisë i Bosnje dhe Hercegovinës Selmo Cikotiq tha më 29 dhjetor se migrantët dhe refugjatët nga kampi Lipa do të transferohen përkohësisht në vendin e një ish-strukture ushtarake në Bradina.