Migjen Basha i jep fund karrierës me kombëtaren. Mesfushori me origjinë nga Kosova deklaroi se dëshiron të jetë më pranë familjes, dhe t’i hapë rrugë më të rinjve.
Do të mbahet mend si pjesë e skuadrës ëndërr. Ishte edhe Migjen Basha në kombëtaren shqiptare që arriti kualifikimin historik, të parin e deri tani të fundit, në një kompeticion të madh, në Euro 2016, dhe kjo të vjen më shumë ndërmend tani që ai i dha fund karrierës si kuqezi.
Shqiptari 32-vjeçar, një nga më të mirët e dekadës së fundit në ekipin përfaqësues, lajmëroi largimin e tij, ndoshta të papritur, me një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
“Mendoj se ka ardhur momenti i duhur, – shkruajti ai në Instagram, – që t’i kushtoj më shumë vëmendje familjes, por në të njëjtën kohë, t’i japim mundësinë edhe lojtarëve më të rinj që të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar”.
Mesfushori me aftësi të larta teknike luajti për 7 vjet me fanelën kuqezi, duke debutuar në 22 Mars 2013 në fitoren 1-0 në Norvegji. Katër ditë më vonë, ai shënoi golin e parë, në suksesin 4-1 ndaj Lituanisë në miqësore në “Qemal Stafa”.
Për Shqipërinë, u aktivizua në 29 ndeshje dhe realizoi tri herë. I lindur në Lozanë të Zvicrës nga prindër shqiptarë nga Theranda e Kosovës, ai luajti në ligat zvicerane, dhe pastaj kaloi në Itali, ku arriti kulmin e karrierës me Torinon.
Për katër sezone me radhë, Basha ishte lojtar i rëndësishëm i piemontezëve, duke shënuar gola, e madje duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit në ndeshje të caktuara. Që nga korriku i vjetshëm, Migjen Basha luan në Superligën greke me Arisin e Selanikut./ABC News Albania 24/7