Michael Ngoo rikthehet te Tirana, Kukësi zgjedh një italian për stolin

schedule09:37 - 8 Korrik, 2021

schedule 09:37 - 8 Korrik, 2021

Tirana është pranë një rikthimi të madh në merkato. Panorama Sport raporton se Michael Ngoo është drejt marrëveshjes me 25 herë kampionët, pas largimit të tij në verën e shkuar në Qipro, ku nuk arriti të lërë gjurmë dhe nuk shënoi asnjë gol në ato pak ndeshje që zbriti në fushë.

Anglezi ishte në negociata me Vllazninë, por forma e tij fizike nuk premtonte për Kupat e Europës dhe marrëveshja u prish. Në skenë hyri Tirana dhe duket se më në fund palët kanë gjetur akordin. Ngoo kërkon bonusin e fitimit të titullit, të cilin Tirana nuk ia dha dhe duket se do ia japë tani.

 

Michael Ngoo

Me të bërë këtë pagesë Ngoo do bashkohet me bardheblutë. Forma e tij fizike nuk është më e mira, por Tirana mund të presë sepse nuk përfaqësohet në Europë këtë sezon dhe sezoni nis një muaj më pas. Tirana dhe Ngoo negociuan edhe në janar, por marrëveshja nuk u arrit.

Ndërkohë, Kukësi e ka bërë gjithë merkaton e kësaj vere pa një trajner dhe tashmë ka menduar të emërojë një teknik në krye. Drejtori sportiv, Pero Pejic kërkon një trajner nga jashtë vendit dhe është drejt firmës me një italian të shquar.

 

I njëjti burim raporton se ndihmësi i Mircea Lucescu te Dynamo Kyiv në Ukrainë, Diego Longo është në negociata me klubin e Kukësit dhe marrëveshja duket se është më pranë se kurrë. Kukësi do të jetë aventura e tij e parë si trajner i parë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!