Tirana u ndërtua për titull që në fillim, edhe pse në kampin bardheblu mundohen të qëndrojnë me këmbë në tokë. Në fakt duhet ta bëjnë diçka të tillë, pasi e kanë parë veten të luftojnë për mbijetesë, kur kishin bërë investime që minimalisht të mos e diskutonin pjesëmarrjen në Europë.
Gjithsesi futbolli është karagjoz dhe nuk pyet as për histori, as për miliona. Tirana tashmë e ka mësuar këtë dhe u mundua që gjatë verës të korrigjonte gabimet e së shkuarës. Merkato me lojtarë që e njihnin kampionatin, por nuk duhet harruar se kishte edhe luhatje. Largimet e Memës dhe Ahmatajt flasin vetë.
Asgjë nuk ka shkuar vaj, por u desh një zgjedhje e trajnerit brenda familjes dhe një fitore në derbi ta kthenin Tiranën në një ortek që merrte përpara këdo. Titulli është pranë dhe në kampin bardheblu do bëjnë gjithçka ta arrijnë atë.
Kreu është i tyre për momentin dhe te 24 herë kampionët janë disa lojtarë të rëndësishëm. Shifrat janë ato që e bëjnë njërin të domosdoshëm: anglezin Michael Ngoo. Gjiganti i sulmit, pas Kyrian Nëabueze të Laçit, është lojtari me më shumë kontribut në një skuadër të Superiores.
Numri i golave nuk është i lartë, pasi ka realizuar deri tani tetë gola në 22 takime që ka zbritur në fushë në kampionat. Ngoo është mbreti i asisteve, pasi ka shërbyer 11 herë për shokët e skuadrës. Shtatlarti në asnjë moment nuk shfaq shenja egoizmi, duke qenë një pikë referimi në sulm dhe produktiv për skuadrën e tij.
Këmbëngulja e drejtuesve për të rinovuar me të në verë po shpërblehet. Qëndrimi i tij te Tirana ishte në dyshim, por në fund palët ranë dakord dhe Ngoo tani kërkon të ngrejë titullin kampion, që te Tirana mungon që prej vitit 2009. /abcnews.al