M’Gladbach vijon momentin e artë që po kalon. Kryesuesit e Bundesligës mposhtën 2-1 me përmbysje në shtëpi Bayern Munchen. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, ndërsa e dyta nisi me avantazhin e miqve.
Ivan Perisic kaloi Bayernin në avantazh me një goditje shumë të bukur. Vendasit nuk u dorëzuan dhe arritën barazimin pas një ore lojë. Ramy Bensebaini realizoi me kokë pas një goditje këndi. Mbrojtësi algjerian u kthye në heroin e M’Gladbach, teksa realizoi edhe golin e fitores në minutat shtesë.

Kjo fitore e dërgon M’Gladbach në kuotën e 31 pikëve dhe diferenca me Bayern shkon 7 pikë. Në vend të dytë (30 pikë) renditet Leipzig, që fitoi 3-1 në fushën e vet përballë Hoffenheim. Timo Werner nuk po ndalet dhe shënoi një dygolësh në këtë ndeshje, që ishte fitorja e pestë radhazi për Leipzig.

Fitore e thellë edhe për Dortmund. Verdhezinjtë shkatërruan Dusseldorf me “manita”. Reus dhe Sancho shënuan nga dy herë, ndërsa festoi edhe Thorgan Hazard. Edhe në dy ndeshjet e tjera triumfuan skuadrat vendase, konkretisht Augsburg dhe Freiburg, që ndan vendin e katërt me Schalke 04. /abcnews.al


