Bedri Greca e ka me trajnerin Gentian Mezani. Sulmuesi anësori, i cili në verë u largua nga Tirana dhe pranoi propozimin e Gjilanit, tashmë është lojtar i lirë. Futbollisti kryeqytetas fajëson teknikun vlonjat për largimin e tij nga Gjilani.
“Nuk e di as vet pse trajneri vendosi të më largojë, ndoshta paaftësia e tij. Ai i frikësohet futbollistëve si unë”, shprehet Greca për “Insporti.com”. Sulmuesi vijon të flasë në lidhje me situatën te skuadra që garon në Ipko Superliga.
“Gjilani ka probleme brenda skuadrës, jo nga drejtuesit. Drejtuesit e klubit janë tejet korrekt. Me Mezanin kam marrëdhënie pune, asgjë më shumë. Në aspektin financiar janë për notën dhjetë, edhe pse paga për muajin nëntor dhe dhjetor ende nuk më është dhënë. Kjo do të rregullohet shumë shpejtë”, ka thënë mes të tjerash Greca. /abcnews.al