Nga Anna Akage “World Crunch”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Kramatorsk, Bucha, Mariupol…Emrat e këtyre qyteteve ukrainase, janë tanimë të njohur në mbarë botën për shkak të numrit të madh viktimave dhe shkatërrimeve të shkaktuara nga ushtria ruse. Dhe pavarësisht kësaj, bazuar në sondazhet, rusët vazhdojnë të mbështesin veprimet e Vladimir Putinit dhe luftën në Ukrainë.
Pse ndodh kjo? Sipas një sondazhi të kryer nga Qendra Levada në Rusi më 31 mars, 81 për qind e rusëve mbështesnin veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë. Ndër arsyet e mbështetjes janë “mbrojtja e popullatës rusisht-folëse” dhe “siguria e kufijve”.
Gazeta ruse Kommersant, ka raportuar një rritje të vlerësimit të Vladimir Putinit që nga fillimi i sulmit mbi Ukrainë. Sociologët regjistruan një rritje të madhe të vlerësimeve ndaj autoriteteve pas shpërthimit të luftës:65 për qind e të anketuarve thanë më 25 shkurt se mbështesin luftën ; 68 për qind më 27 shkurt; 71 për qind më 3 mars; 74 për qind më 17 mars; dhe 76 për qind më 24 mars.
Një ditë para fillimit të luftës, sociologu rus Denis Volkov, tha në një intervistë për Qendrën Levada, se motivet e rusëve dukeshin jashtëzakonisht “fisnike”:Ata thonë se është e nevojshme të shpëtojmë “popullin tonë”. Njëkohësisht, i gjithë faji për konfliktin u zhvendos tek SHBA-ja, ndërsa Ukraina u perceptua si viktimë e manipulimit politik nga ana e Perëndimit.
Ndërkaq, vështirësitë ekonomike nuk kanë rëndësi përballë një kauze fisnike. “Rritja e çmimeve dhe e normave të papunësisë, mbyllja e dyqaneve, humbja e ilaçeve të rëndësishme dhe zhdukja e sheqerit dhe miellit nga raftet e dyqaneve, nuk po e dobësojnë këtë mbështetje. Përkundrazi, duket se vetëm po e forcojnë atë”- tha Volkov.
Nga kjo propagandë zyrtare, buron edhe bindja e rusëve se të gjitha vështirësitë e tyre ekonomike, nuk kanë rëndësi përballë një kauze fisnike, dhe se nuk duhet pasur frikë nga sanksione. “Bashkimi Sovjetik jetoi nën sanksione, por u zhvillua dhe arriti një sukses një të jashtëzakonshëm”- deklaroi Vladimir Putin më 11 mars gjatë një takimi me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko.
Por a mund t’u besojmë përgjigjeve mbështetëse të qytetarëve ndaj regjimit, në një vend ku çdo përgjigje tjetër është penalisht e dënueshme, dhe ku nuk ka burime të tjera informacioni përveç atyre zyrtare? Në një vend ku një burrë u arrestua vetëm pse protestoi pa zë, i vetëm Sheshin e Kuq këtë të diel, duke mbajtur në duar vetëm një vëllim të romanit “Lufta dhe Paqja” nga Tolstoy?
Kur nisi lufta në Ukrainë, kanalet televizive ruse filluan të transmetonin gjatë gjithë kohës. Nuk kishte më reality shoë, telenovela, dhe as emisione argëtuese. Por vetëm lajme dhe analiza politike, 24 orë në ditë. Dhe e gjitha kjo ndodhi në një kohë kur ishin mbyllur të gjitha mediat e pavarura, dhe ishin bllokuar rrjetet e mediave sociale.
Për të kuptuar nivelin e propagandës, mjafton vetëm një shembull. Të nesërmen, televizioni “Rusia 24” transmetoi një “speciale” se si ushtria ukrainase po përgatiste një manekin për ta paraqitur si kufomën e një banori në Bucha apo Mariupol, që do të pretendohej si viktimë e sulmeve ruse.
A nuk ka ndonjë njeri të shtrojë një pyetje banale por logjike të tipit:”Pse ushtria ukrainase do të vriste qytetarët e saj?”. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet, se koha kur televizioni rus ka ndikuar tek rusët është dekada më e gjatë sesa lufta aktuale.
Pas një periudhe të shkurtër të Perestrojkës, apo të një liberalizimi politik, media ka qenë për 20 vitet e fundit nën Putinin një zëdhënëse e regjimit dhe jo zëri i popullit. Dhe para kësaj, po e tillë ka qenë për shumë dekada nën regjimin sovjetik.
Gjatë kësaj kohe, shikuesi rus u mësua me elementët më të rëndësishëm të propagandës, të cilat e zëvendësuan rritjen ekonomike dhe lirinë. Nga këtu buron besimi mbi rrugën e veçantë të Rusisë (supozohet se modelet politike dhe ekonomike të vendeve të zhvilluara, nuk janë të zbatueshme në Rusi); mbi plotfuqinë e ushtrisë ruse; mbi një botë bipolare ku Rusia e kundërshton Amerikën; teza e një populli vëlla ukrainas, që sundohet nga një “juntë fashiste”; mbi Bashkimin Evropian si një shpurë homoseksualësh, me Rusinë si bastionin e fundit të vlerave tradicionale familjare…Lista është shumë e gjatë.
Këto besime u bënë një filozofi, por deri këtë vit dukeshin relativisht të padëmshme përtej kufijve të Rusisë. Për vite me radhë, këto ide i janë imponuar publikut rus në mënyra të ndryshme e të sofistikuara, të mbështetura nga “faktet” më të pabesueshme.
Dhe publiku rus reagoi në përputhje me rrethanat. Në një qytet rus, vendasit helmuan kohët e fundit me shumë zell pëllumbat, nga frika se ata sipas TV rus, bartin viruse patogjene të zhvilluara në laboratorë sekretë në Ukrainë, që e detektojnë ADN-në e njeriut dhe infektojnë vetëm rusët.
Të gjithë i kemi parë fotot e koreano-veriorëve që qanin në mënyrë histerike në funeralin e Kim Jong Il. Nëse Putin do të vdiste sot, në vend të një shpërthimi emocional, rusët ka të ngjarë të shpenzonin energjitë e tyre duke pyetur veten se cila forcë e jashtme e kishte organizuar vdekjen e tij.
Ky regjim gati diktatorial që ka ndërtuar Putin në Rusi, është shumë i ndryshëm nga ai i Phenianit, për të mos përmendur autokracitë e dikurshme dhe ato aktuale, që njohim nga Lindja e Mesme apo Amerika Latine. Politologu rus Maxim Katz e identifikon sundimin e Putinit si një “teknokraci e informacionit”, si një metodë të drejtimit të vendit, bazuar në menaxhimin efikas të informacionit për të kontrolluar dhe për të fituar mbështetjen e popullsisë së vendit.
Është manipulimi i informacionit, shumë më tepër sesa frika dhe forca brutale, ajo që e ka mbajtur Putinin kaq gjatë në pushtet. Ndryshe nga regjimet klasike autoritare, teknokracitë e informacionit, priren që ta përçajnë shoqërinë në vend se ta bashkojnë atë.
Në një vend shumë të madh, ku të gjithë janë shikues të vetmuar para një televizori, propaganda konsumohet nga njerëz që nuk mblidhen në grupe, nuk diskutojnë ngjarjet aktuale, dhe nuk ndajnë dyshimet e tyre. Kjo është arsyeja pse Putini ka vënë nën shënjestër edhe OJQ-të më të padëmshme ambjentaliste, ashtu si organizatat e të drejtave të njeriut, për të mos përmendur mbylljen e mediave të pavarura.
Qasja “përça dhe informo”, është mjeti kryesor që shpjegon popullaritetin e Putinit në shoqërinë ruse, nga Moska në Vladivostok. Disa kanë argumentuar se lufta në Ukrainë ishte përmbushja logjike e mesazhit që ai ka ndërtuar gjatë 20 viteve për fatin e veçantë të “Nënës Rusi”, atë të rifitimit të madhështisë së dikurshme.
Por më shumë se kurrë më parë, popullariteti i tij është thelbësor për këtë përpjekje. Dhe me pengesat që vazhdojnë të grumbullohen, është e qartë se përse Rusisë i duhet kaq urgjentisht “një fitore në fushën e betejës”. Pa të, Putini rrezikon gjithçka, dhe kjo i bën më të frikshme se kurrë perspektivat mbi atë që pritet të ndodhë në ditët dhe javët e ardhshme në Ukrainë. /abcnews.al