Mete me siguruesit: “Përmbyllni pagesat e dëmeve për tërmetin!”

schedule17:45 - 9 Qershor, 2020

schedule 17:45 - 9 Qershor, 2020

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Ervin Mete ka zhvilluar një takim-prezantues me drejtuesit e shoqërive të sigurimit

Gjatë takimit është diskutuar mbi ecurinë e tregut të sigurimeve, në veçanti për efektet e pandemisë së koronavirusit si dhe procesin e dëmshpërblimit pas dy tërmeteve që goditën vendin vitin e shkuar.

Mete vlerësoi menaxhimin e situatës pas tërmetit nga ana e shoqërive të sigurimit, si edhe ecurinë e procesit të dëmshpërblimit, ndërsa kërkoi përmbylljen pa vonesa të të gjitha pagesave të mbetura pezull.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv kërkoi nga shoqëritë e sigurimit që të merren masat për të rishikuar planet e vazhdimësisë së biznesit në rastet e krizave dhe situatave të jashtëzakonshme. Po ashtu, në dukje u vu se tregu i sigurimeve ka nisur të rikuperojë me daljen e vendit nga izolimi.

“Situata e krijuar nga pandemia ekspozoi varësinë ndaj sigurimit TPL, duke vërtetuar nevojën e zhvillimit të tregut të sigurimeve. Gjithashtu, digjitalizimi është thelbësor, për raportimin, inspektimin apo e-shërbimet. Kjo do të sjellë uljen e kostove, heqjen e barrierave dhe do të rrisë eficencën në tregun e sigurimeve”, u shpreh Mete.

Ai u kërkoi drejtuesve të shoqërive të sigurimit që të merren masat për të parashikuar në kontratat e sigurimit specifikime lidhur me situatat e krizave në funksion të transparencës ndaj personave të siguruar.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe në lidhje me çështje të tjera në funksion të zhvillimit dhe mirë-rregullimit të tregut, përmirësimit të raportit dëme/prime. /abcnews.al/