Meta: Të shtyhet plotësimi i vakancave në AMA

schedule13:58 - 27 Maj, 2021

schedule 13:58 - 27 Maj, 2021

Presidenti Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se po tenton të vërë nën kontroll AMA-n, duke e cilësuar atë institucion thelbësor për garantimin e lirisë së medias në vendin tonë. Meta shprehet se çdo tentativë për ta kapur këtë institucion është një goditje e rëndë për demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“E mbështes plotësisht shqetësimin e drejtë të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të rreth 8200 kolegëve të tyre të huaj të grupuar në Rrjetin “Safe Journalists” dhe e dënoj me forcë nxitimin e mazhorancës dhe të Kuvendit aktual njëpartiak për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audiovizive, një institucion thelbësor për garantimin e lirisë së medias në vendin tonë.

Është pikërisht Kuvendi aktual, që nuk ka qenë i sinqertë, as me median, as me Bashkimin Europian dhe as me Komisionin e Venecias. Për më tepër, që po mbushet gati një vit (19 qershor 2020) dhe ende Parlamenti nuk është tërhequr zyrtarisht nga paketa antikushtetuese “Antishpifje”.

Duke e përkrahur thirrjen e gazetarëve për të shtyrë plotësimin e vakancave në AMA, pasi Parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit të fillojë punën, theksoj se çdo tentativë për kontroll të lirisë së medias është goditje e rëndë për demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, që minon seriozisht rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, shkruan Meta./Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!