Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg në këtë vizite disa orëshe në Tiranë u prit në një takim nga kreu i shtetit Ilir Meta.
Në një njoftim për shtyp të zyrës së presidentit thuhet se kreu i shtetit theksoi se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit Stoltenberg se është detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojë organizatën e Atlantikut te Veriut.
Presidenti Meta çmoi investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës. Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria e pret me entuziazëm anëtarësimin e afërt të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Më tej Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri multietnike dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n./ABC News Albania 24/7