Meta: Serbia synon të shpopullojë Medvegjën, lojë e pandershme e korrigjimeve territoriale

schedule13:49 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 13:49 - 21 Dhjetor, 2020

Presidenti Ilir Meta, me anë të një ceremonie solemne, çmoi sot me Titullin“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, veprimtarin e shquar të diasporës sonë kombëtare dhe atdhetarin nga Lugina e Preshevës, Muharrem Salihu.

Kreu i shtetit gjatë kësaj ceremonie ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë se po synon të shpopullojë Medvegjën në një lojë të pandershme të korrigjimeve të pabarabarta territoriale duke bërë thirrje për të ndalur shpopullimin e trojeve shqiptare.

Ky vlerësim i lartë, ju bë me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë frymëzuese, nxitëse, mobilizuese dhe përkrahëse, në mbrojtje të lirive e të drejtave themelore individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës në përgjithësi, dhe në Medvegjë, në veçanti. Me mirënjohje për investimet largpamëse në favor të zhvillimit ekonomik, social dhe punësimit të shqiptarëve dhe komunitetit, si rrugë për të ndalur shpopullimin e trojeve amtare si dhe për të nxitur normalizimin e jetës dhe bashkëjetesës ndëretnike. Për mbështetjen e fuqishme të aktiviteteve kulturore dhe artistike të shqiptarëve, që dëshmojnë gjurmët e hershme të autoktonisë së tyre në viset ku ata banojnë, kudo në Republikën e Serbisë”, ka thënë Meta

Ndër të tjera në fjalën e tij përshëndetëse para familjarëve, deputetëve, diplomatëve, ish-ministrave, intelektualëve dhe personaliteteve të pranishme, Kreu i Shtetit e cilësoi z. Saliu një figurë emblematike të diasporës sonë.

 “Zoti Saliu përfaqëson një prirje të kahmotshme të kësaj diaspore: lidhjen me trojet amtare, kontributin dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm në ndihmë të saj. Muharrem Salihu është një sipërmarrës i klasit të parë në Itali, në një rajon si Veneto, me standarde të larta menaxheriale. Para dy vitesh, ndërmarrja e tij ishte ndër 10 më të mirat, midis më shumë se 1 milion sipërmarrjeve.  Salihu jeton prej shumë vitesh në Itali me familjen e tij dhe fare mirë mund t’i ishte përkushtuar përditshmërisë së tij në Venecia. Njëkohësisht mund të kishte marrë prej kohësh edhe shtetësinë italiane. Mirëpo jo: Muharremi është i lidhur në mënyrë të përhershme me rrënjët, me fshatin i tij Tupallë, pjesë e komunës së Medvegjës, në Luginën e Preshevës, në Republikën e Serbisë. Ky kthim tek rrënjët, kjo jetë mes Venecias dhe Medvegjës, ka prodhuar rezultate të shkëlqyera në dobi të komunitetit të tij por edhe të çështjes shqiptare.

Muharremi ka financuar kërkimin, studimin e valleve, e kostumeve popullore të Medvegjës dhe ka realizuar konferenca shkencore për trashëgiminë kulturore.

Ky kontribut është një trashëgimi, që ne të dëshmojmë botërisht gjurmët e ekzistencës sonë të hershme kombëtare në Medvegjë, komunën e njohur të Luginës së Preshevës, që sot po mpaket dhe po tkurret, por Muharremi nuk dëshiron ta lejojë këtë. Dhe Muharremi na ka bërë thirrje dhe ne që t’i bashkohemi kësaj ndërmarrje të tij kombëtare. Prej vitesh ai lufton të ndalë një proces problematik, atë të mpakjes sonë si komb, në kufijtë ekstremë të ekzistencës sonë si shqiptarë, kufij që janë rrudhur vazhdimisht në dy shekujt e fundit. Është i ashtuquajturi proces i pasivizimit të adresave. Prej vitesh ai flet me ne, me autoritetet e Shqipërisë dhe të Kosovës për këtë problem, flet me personalitete në Veneto dhe Itali, me Kongresin Amerikan, me Parlamentin Europian”, deklaroi Meta.

Gjithashtu ai theksoi se nëse ne nuk shkojmë të shohim ato vende të mrekullueshme, Banjën e Sijarinës, një mrekulli natyrore, Medvegjën e gjeneral Veli Dedit, Tupallën e akademikut Idriz Ajeti, nuk do të kuptojmë dot Muharremin, rrënjët e Muharremit, rrënjët tona, gjakun tonë.

Unë e kam bërë këtë udhëtim dhe e kam kuptuar Muharremin. Kam kuptuar pse Serbia synon të shpopullojë Medvegjën në një lojë të pandershme të korrigjimeve të pabarabarta territoriale.

Duke udhëtuar në Medvegjë, kam kuptuar se pse Muharremi ka vendosur të investojë në një fabrikë atje. Kjo fabrikë jo vetëm mundëson qëndrimin e familjeve shqiptare, por ndihmon edhe bashkëjetesën ndëretnike atje.

Kam kuptuar pse ai ka financuar një muze, një amfiteatër për shfaqje kulturore në shqip, afër lagjes së vet, afër varreve të të parëve, afër shtëpive, që janë shtyllat e ngulura përjetësisht të ekzistencës sonë si komb në ato vise. Shembulli i tij vlen për të gjithë si ai që duan të kthehen!

Ky nderim sot për Muharremin, është nderim edhe për të gjithë ata si Muharremi, që kanë vendosur të qëndrojnë, të rezistojnë, të mos braktisin vatrat e të parëve.

Faleminderit Muharrem, që na bën krenarë me veprën tënde sot!

Dikush që nuk e kishte bërë udhëtimin, për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e tij kombëtar, e quante atë metaforikisht: Don Kishot ose I Fundmi i Mohikanëve.

Muharremi nuk është as Don Kishot dhe as i Fundmi i Mohikanëve. Ai është njëlloj rilindasi modern që na ka ndërgjegjësuar ne, përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare për dramën e bashkëvendasve të vet. Me vonesë, por ja ka arritur.

Faleminderit që na ke zgjuar nga gjumi ynë i retorikës patriotike, por bosh brenda, deri tani! Më vjen mirë që diçka po bëjnë dy ministritë tona të jashtme sot edhe falë nxitjes së Muharremit. Inkurajoj krijimin e Këshillit Politik dhe vendosjen e tij në Medvegjë simbolikisht, për të ndalur hemoragjinë e mëtejshme tonë kombëtare atje”, deklaroi Meta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!