Meta refuzon sërish Komisionin e Ligjeve: Nuk vij sot, ballafaqohemi me 10 Maj

schedule11:09 - 6 Maj, 2021

schedule 11:09 - 6 Maj, 2021

Ditën e sotme Komisioni i Ligjeve, ka vendosur që të bëjë mbledhjen e radhës për procedurat e shkarkimit të presidentit Ilir Meta ku i ka bërë thirrje këtij të fundit që të jetë i pranishëm.

Së fundmi Presidenca në një përgjigje për Komisionin e Ligjeve ka thënë se Ilir Meta nuk mund të jetë i pranishëm për shkak të axhendës. Ndërkohë theksohet se Presidenti i qëndron datës së parë të kërkuar nga ai  10 maj për tu ballafaquar me këtë Komision.

Kujtojmë se një ditë më parë Komisioni i Ligjeve me propozim të kreut Ulsi Manja vendosën që mbledhjen ta zhvillojnë sot me datë 6 maj, ndryshe nga sa kishte kërkuar Meta, 10 majin.

“ Presidenti i Republikës, siç ju është bërë me dije edhe në shkresën tonë nr. prot. 1520/2, datë 5.5.2021, edhe para se ju të shprehnit kërkesën në mënyrë eksplicite, ka shprehur gadishmërinë e tij për t`u takuar, diskutuar e për t`u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve.

Sigurisht që agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021.

Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!

Duke ju garantuar se kjo datë e lirë në agjendën e Presidentit nuk përmban asnjë qëllim për t`ju penguar në ushtrimin e misionit të paligjshëm që ju është ngarkuar, ju bëjmë me dije se, Presidenti i Republikës nuk mund të anulojë apo të shmangë agjendën e Tij, të datës 6 maj 2021, ditë kjo në të cilën tashmë janë të planifikuara prej kohësh, realizimi i takimeve me rëndësi edhe për proceset e integrimit të vonuar europian të vendit.” thuhet në përgjigjen e Metës për Komisionin e Ligjeve./abcnews.al/

Kliko këtu për të parë: Përgjigjen ndaj Komisionit të Ligjeve 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!