Vendosi ta provojë edhe një herë një ditë para se të nisë pushimet.
“E ftoj Kryeministrin Rama që të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekretit për 13 Tetorin, ftoj KQZ-në të mos vijojë me paligjshmëri, ftoj partitë që duan, dhe jo ato që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje”.
13 tetori duhet të ngulitet në mendje si data e ligjshme e zgjedhjeve këmbëngul Presidenti Ilir Meta sipas të cilit as gjykata kushtetuese nuk ka fuqi ta ndryshojë.
“Askush nuk duhet të ketë iluzione se çdo vendim i Kushtetueses kur të bëhet funksionale mund të japë legjitimitet 30 Qershorit. 13 Tetori është e vetmja datë Kushtetuese për zgjedhje vendore në Shqipëri. Përgjegjësinë për këtë e kam marrë unë. Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të legjitimojë 30 Qershorin, pas e ka të pamundur, pasi dekreti ka qenë në fuqi dhe 30 qershori ka ikur. Ajo mund të bëjë interpretimin si duhet apo mund të veprojë, dhe kjo ka efekt për të ardhmen”.
Mesazhet e tij i kanë përfillur më së shumti partitë e vogla të grupimit opozitar dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Dy partitë më të mëdha në vend kanë shprehur qëndrime të tjera.
Kryemininstri ia ka dhënë përgjigjen, JO të prerë.
Krydemokrati Basha vazhdon të kërkojë largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore. Sot presidentit i duhet të japë përgjigje edhe pyetjes se kush do të hyjë në zgjedhjet e 13 tetorit, apo një dekret tjetër mund të dalë nga sirtari presidencial.
“Nëse mendoni se drejtuesit e vendit do ia fusnin gushtit me pushime në këto kushte të krizës do të ishte kulmi i papërgjegjshmërisë. Shpresoj në reflektimin e kryeministrit, jam gati ta pres dhe takoj, gjithmonë në mënyrë publike dhe transparente, pasi po i afrohemi kundër kohës për perspektivën evropiane të vendit. Nuk është në interesin e kryeministrit vijimi i kësaj situate, përfitojnë shumë pak njerëz”.
I gjendur para një dileme mbi vendimmarrjet e ardhshme të mazhorancës dhe opozitës, hedh edhe një ofertë të re në tavolinë. Këtë herë për zgjedhjen e kryetarit të shtetit nga vota e shqiptarëve.
“Në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkurruar me 13 tetor para qytetarëve, por vetëm me një kusht, që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik është mbi çdo gjë tjetër dhe nuk e ha shantazhin dhe presionin siç është profesor Rexhep Meidani. Kjo është tërësisht e zgjidhshme, nuk e kam biseduar me njeri, por jam i sigurt se ato dy-tre çështje të rëndësishme të rëndësisë kombëtare që trajtohen nga kjo zyrë do ti mbronte ndoshta dhe më mirë se unë”.
Nëse pritshmëritë e presidentit ikin me gushtin, ka bërë gati një tufë me lule për të vlerësuar drejtuesin e fundit të diktaturës komuniste.
“I ftoj të reflektojnë për ndryshe do më detyrojnë të ftoj të gjitha media botërore të shkojmë tek varri i Ramiz Alisë me një tufë me lule”.
Pas kësaj konference është koha të nisë pushimet presidenti i republikës, por jo me celular të fikur./ABC News Albania 24/7

