Meta qëndrim për situatën politike: 30 qershori i paligjshëm

schedule09:45 - 8 Korrik, 2019

schedule 09:45 - 8 Korrik, 2019

Pak orë para ngritjes së komisionit hetimor në Kuvend për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta ka publikuar qëndrimin e tij për situatën politike në vend. Ai ka bërë edhe njëherë një kronologji të akteve të ndërmarra prej tij lidhur me dekretet për zgjedhjet, duke rikujtuar se i është referuar dispozitave kushtetuese, ndaj sipas tij, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Tij.

“Dekreti për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, deri në ditën e sotme nuk është kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jo politik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor”, vëren Presidenti.

Prandaj sipas tij, dekreti i datës 10 qershor është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

“Sipas Kodit Zgjedhor”, thotë Meta, “Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencë të shqyrtojë vlefshmërinë e Dekreteve të Presidentit, pasi këtë të drejtë nuk ia njeh as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as ndonjë ligj tjetër në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.

Padinë e Partisë Uniteti Kombëtar, Meta e cilëson si një inskenim për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit. “Por, në këtë proces Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga Kolegji Zgjedhor, për të qenë palë në proces”, sqaron presidenti.

Në qëndrimin e tij, Kreu i Shtetit sjell ne vëmendje se Presidenti i Republikës është autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve. Për pasojë, veprimtarinë zgjedhore të 30 qershorite quan të paligjshëm dhe antikushtetues.

Përkundrazi, sipas tij, dekreti për zgjedhjet e 13 tetorit është në fuqi dhe i detyrueshëm për zbatim nga të gjithë.

Në fund, Presidenti i fton të gjithë aktorët t’i bashkohen propozimit të tij që më 13 tetor qytetarët shqiptarë të votojnë edhe për Kuvendin e Shqipërisë, por edhe për Presidentin e Republikës. /ABC News Albania 24/7