Gjatë një konference për sigurinë në Ballkan, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u ndal edhe te kriza politike në vend. Ai kërkoi përgjegjshmëri dhe paanësi nga aktorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Gjithashtu, Meta tregoi se nuk mund të ulë në tavolinë opozitën dhe mazhorancën, për aq kohë sa njëra palë kërkon të ulet në tavolinë pa qenë Rama kryeministër, ndërsa Rama thotë që zgjedhjet e Qershorit do të jenë sukses.
“Presidenti i Republikës bën maksimumin e tij me përgjegjësinë e tij, duke respektuar frymën e Kushtetutës, por presidenti nuk mund të ulë në tavolinë dy njerëz apo tre njerëz që thonë nuk ulem nëse ky nuk është kryeministër, apo me dikë tjetër që thotë se 30 Qershori do jetë një ditë e madhe suksesi për Shqipërinë në këto kushte ku jemi. Kjo situatë kërkon përgjegjshmëri nga aktorët vendas dhe ndërkombëtar. Kërkon paanësi dhe kërkon gjithashtu të kemi parasysh se një situatë me probleme në Shqipëri nuk na ndikon në perspektivën e gjithë rajonit, edhe çështjeve që do na adresohen”, tha Meta./abcnews.al