Meta propozon kandidatin për kryetar të KLSH-së

schedule12:32 - 17 Korrik, 2019

schedule 12:32 - 17 Korrik, 2019

Pasi i kthyen dy kandidaturat e para, presidenti Ilir Meta i ka dërguar Kuvendit kandidaturën e tretë për kreun e Kontrollit të lartë të shtetit. Petraq Milo plotëson të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e parlamentit sipas institucionit të presidencës.

Petraq Milo është kandidati që propozon presidenti Ilir Meta për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është zëdhënësi institucionit të presidencës që ia dërgon Kuvendit pasi ka lexuar me vëmendje sugjerimet e këtij të fundit.

“Presidenti Meta duke qenë i bindur në drejtësinë e vendimit të Tij, pasi ka lexuar me shumë vëmendje sugjerimet e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me profilin profesional që duhet të ketë kandidati për kryetar i KLSH-së, nuk gjeti dot një kandidat më të përshtatshëm dhe me kaq eksperiencë të gjithanshme, si Prof. Dok. Petraq Milo, për të përmbushur me profesionalizëm dhe dinjitet këtë detyrë tepër të rëndësishme kushtetuese”.

Petraq Milo ka një karrierë të pasur akademike dhe profesionale. Ai ka mbajtur edhe detyrën e këshilltarit të Kryeministrit Sali Berisha nga viti 2005 deri në vitin 2013. Në argumentimin e përzgjedhjes së kësaj kandidature, presidenti Meta e ka vlerësuar si një personalitet me një eksperiencë të jashtëzakonshme, brenda dhe jashtë vendit në fushën e financave, të auditit, të bankave dhe të ekonomisë në tërësi, gjithashtu me një kontribut të spikatur në drejtimin e institucioneve financiare, fiskale e bankare në Kosovë.

“Përvoja e tij akademike, brenda dhe jashtë vendit, si edhe bashkëpunimi me institucionet më të rëndësishme financiare botërore dhe të Bashkimit Europian, janë një faktor i rëndësishëm për këtë zgjedhje”.

Presidenti Meta falënderon edhe njëherë kandidatët e mëparshëm të propozuar prej tij për postin e kryetarit të KLSH-së, znj.Vitore Tusha dhe z.Bahri Shaqiri. Kreu i shtetit do t’ia dërgojë brenda ditës së sotme propozimin e tij Kuvendit, me besimin e plotë se do ta shqyrtojë këtë kandidaturë brenda këtij sesioni parlamentar, me objektivitet dhe përgjegjshmëri, që KLSH të funksionojë në mënyrë plotësisht kushtetuese e ligjore./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!