Presidenti Ilir Meta ka pritur në Presidencë nxënës dhe mësues të shkollave të ndryshme të vendit në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes.
Kreu i shtetit e ka vënë theksin e mesazhit të tij tek eliminimi i dhunës, respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe nxitja e barazisë në vendimmarrje. Sipas tij, duhet të fuqizojmë familjen shqiptare, për të forcuar shoqërinë dhe Atdheun.
Mesazhi i plotë:
Një bisedë e hapur dhe e ngrohtë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, me nxënës dhe mësues të shkollave të ndryshme të vendit, mbi rëndësinë e mbrojtjes së familjes dhe vlerave të saj, të tronditura nga plagët sociale dhe fenomeni i shpopullimit.
Eliminimi i dhunës, respektimi i të drejtave të fëmijëve dhe nxitja e barazisë në vendimmarrje garantojnë më shumë siguri dhe mirëqenie për familjen, e bëjnë atë më të fortë dhe më të shëndetshme. Thelbësore është figura e mësuesit, që duhet mbështetur më aktivisht, për shkak rolit të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj me vlerat qytetare.
Të fuqizojmë familjen shqiptare, për të forcuar shoqërinë dhe Atdheun!
g.v/abcnews.al