Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. Në një prononcim për mediat, kreu i shtetit është shprehur i bindur se drejtësia kombëtare dhe ndërkombëtare do të ndëshkojë ata që sipas tij janë përfshirë në këtë krim që është simbol i kapjes së shtetit.
Dy ngjarje të rëndësishme shënon 24 Korriku në kalendarin e Presidentit Ilir Meta.
Dy vjet më parë bëri betimin, e dy vjet më pas për herë të parë një kryetar shteti ngjit shkallët e Gjykatës Kushtetuese.
Arsyeja është Teatri Kombëtar.
Edhe pse në godinën e Gjykatës Kushtetuese është vetëm sekretari që shënon hyrje daljet dhe regjistrimet e kërkesave për gjykim, Presidenti Meta është i bindur se një ditë drejtësia do ta thotë fjalën e saj.
Tashmë është bërë i njohur qëndrimi që ka kreu i shtetit për shkaqet që e kanë lënë bosh gjykatën më të rëndësishme në vend.
Por optimizmi nuk e ka braktisur.
Më herët presidenti Meta ka reaguar ndaj protestës që u zhvillua përpara Teatrit Kombëtar sipas të cilit përplasje të tilla me aktorë e regjisorë të njohur janë tre herë turpërues për vendin./ABC News Albania 24/7