Meta: Nevojë urgjente për mbështetjen e sipërmarrjes

schedule16:36 - 15 Tetor, 2018

schedule 16:36 - 15 Tetor, 2018

Presidenti Ilir Meta në Ditën ndërkombëtare të grave dhe vajzave në zonën rurale ka deklaruar se puna e tyre është një mësim për përfaqësuesit e institucioneve të cilët duhet të rreshtohen në mbështetje të këtyre sipërmarrjeve që mbajnë gjallë vlerat dhe traditat shqiptare.

Presidenti i Republikës Ilir Meta vizitoi Shtëpinë e Artizanatit “Tradita Popullore” me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave të Zonave Rurale. Ai vlerësoi punën që bëhet në këtë atelie për ruajtjen e traditës, trashëgimisë dhe të vlerave të kombit tonë.

“Është e rëndësishme që kjo punë që ka filluar të mbështetet fuqimisht, sepse për fat të keq shumë zona të Shqipërisë janë braktisur dhe gjeneratat më të reja nuk kanë trashëguar këto tradita dhe cilësi nga të parët e tyre. Iniciativa e grave dhe vajzave që merren me këtë sipërmarrje, duhet të mbështetet më mirë nga ne si përfaqësues të shtetit, qeverisë, pushtetit vendor, sepse kjo sjell përfitime të shumta”.

Këmbanë alarmi e quan kreu i shtetit nevojën për angazhim në ruajtjen e këtyre pasurive folklorike dhe traditave tepër të rëndësishme për identitetin kombëtar por edhe për zhvillimin e turizmit sipas tij, i cili do të ndihmojë në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik jo vetëm në qendrat urbane, por edhe zonat më të thella të Shqipërisë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!