Meta në takim me zv/kryetaren e Grupit të CDU/CSU: Politikanët të mësojnë nga Kosova

schedule10:49 - 28 Gusht, 2019

schedule 10:49 - 28 Gusht, 2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerëson përpjekjet e Gjermanisë për parandalimin e thellimit të krizës politike në Shqipëri. Gjatë një takimi me zëvendës kryetaren e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Meta e falenderoi për angazhimin e Bundestagut kundër krizës, ndërsa theksoi edhe njëherë bindjen  se zgjidhja vjen vetëm përmes zgjedhjeve.

Ditët e pushimit dhe skadimi i afateve për zhvillimin e zgjedhjeve në 13 Tetor nuk e kanë ndryshuar bindjen e Presidentit se kriza politike zgjidhet vetëm me zgjedhje. Për kreun e shtetit, 13 tetori është një mundësi e artë dhe për këtë falenderon çdo aktor ndërkombëtar që kontribuon për zgjidhjen e ngërçit politik. Këtë mirënjohje Ilir Meta ia shprehu edhe zv/kryetares së Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert  në një takim të zhvilluar në Presidencë.

“Falenderoj për angazhimin e posaçëm Bundestagun dhe veçanërisht grupin parlamentar CDU/CSU për parandalimin e thellimit të krizës politike ku ndodhet vendi. Nëse do të ishin dëgjuar në kohë sugjerimet dashamirëse të drejtuesve të lartë të CDU, gjendja sot do të ishte krejt e ndryshme”. 

Modelin e zgjidhjes së krizës përmes zgjedhjeve, Meta e solli në vëmendje duke marre si shembull vendimmarrjen e politikanëve në Kosovë.

“Nëse politikanët vendas e kanë të pamundur të mësojnë nga vendet me përvojë të konsoliduar demokratike se si zgjidhen krizat, kanë rastin të mësojnë nga një shtet i ri si Kosova se si u jepet mundësia qytetarëve të thonë fjalën e tyre përmes zgjedhjeve të parakohshme për të ardhmen e institucioneve qeverisëse”.

Gjatë qëndrimit të saj në kryeqytet, zv/ kryetarja e Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Katja Leikert zhvilloi takime edhe me kryeministrin Rama e kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Ky i fundit nuk e fshehu besimin dhe dëshirën që gjermanët të jenë aktor ndërmjetësues për zgjidhjen e krizës politike.  /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!