Shqipëria dhe Egjipti do të identifikojnë përmes një komisioni të përbashket ndërshtetëror rrugën e bashkëpunimit ekonomik mes tyre. Këtë e deklaroi presidenti shqiptar Ilir Meta gjatë takimit që zhvilloi në Kajro me homologun e tij egjiptian Abdel Fattah El-Sisi.
“Ajo që është më e rëndësishmja dhe që ne u dakordësuam, është që sa më shpejt të mblidhet komisioni i përbashkët ndërshtetëror, brenda këtij 6-mujori, që do të identifikojë platformën e bashkëpunimit tonë ekonomik”.
Të dy Presidentët ndanë mendimin se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë shumë më të mëdha se rezultatet aktuale dhe kuadri ligjor në fuqi është stimulues në këtë drejtim.
“E sigurova Presidentin se investimet egjiptiane janë të sigurta dhe shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe Shqipëria do të jetë një portë hyrëse dhe motivuese për bizneset dhe investimet egjiptiane në gjithë rajonin e Ballkanit.
Potencialet e bashkëpunimit tonë janë të shumta sidomos në turizëm, në energji, bujqësi, eksplorimi dhe shfrytëzimi i naftës dhe i gazit e kështu me radhë”.
Një vëmendje të veçantë të dy bashkëbiseduesit ua kushtuan edhe zhvillimeve në rajonet respektive.
Meta dhe El-Sisi ndanë mendimin se bashkëpunimi e solidariteti në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është i domosdoshëm për një rajon mesdhetar që zhvillohet në paqe dhe begati.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu rolin e Egjiptit në arenën ndërkombëtare, duke e konsideruar aktor dhe partner qendror në rajonin e Lindjes së Mesme. /abcnews.al