Meta mesazh Ramës dhe Bashës: Të mos kalojmë në kundërkohë!

schedule13:26 - 31 Korrik, 2019

schedule 13:26 - 31 Korrik, 2019

“Ky është pikërisht momenti kur koha nuk punon më për ty dhe ti fillon e gënjen veten se do gjesh një rrugë justifikimi për dështimin tënd të sigurt”.

Është ky mesazhi presidentit drejtuar Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike. Ia dërgoi jo vetëm virtualisht, por edhe me zërin e zëdhënësit të tij nga institucioni i presidencës.

“Populli ynë nuk e meriton të mbetet i fundit në rajon, për shkak të liderëve të tij të llastuar! Kemi dhe fare pak kohë për të mos kaluar në KundërKohë”!

Këshilla e kryetarit të shtetit është të hequrit dorë urgjentisht nga kokëfortësia për të ecur në dy rrugë përjashtuese, jodemokratike dhe joeuropiane, që s’kanë pikë takimi, jo vetëm me njëra-tjetrën, por që të dyja e nxjerrin vendin për një kohë të pacaktuar nga rruga europiane e sigurt dhe e dëshiruar nga të gjithë shqiptarët. Tani ka nevojë Shqipëria për zgjidhje, në Shtator do të jetë shumë vonë është mesazhi presidentit.

“Shqipëria është lodhur me marrëveshje tejet të vonuara, që sakrifikojnë të ardhmen e saj, për të shpëtuar karrierat e politikanëve të papërgjegjshëm, në emër të gjoja stabilitetit që ata e minojnë çdo ditë me sjelljet dhe mosveprimet e tyre”.

Kjo dalje publike e zëdhënësit të Presidentit ishte edhe për të njoftuar dekretimin e ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” që përcakton kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u përfshirë në shortin për tu zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi.

“Ky organ është bllokuar për dy vite radhazi në mënyrë të pajustifikueshme pavarësisht nga përpjekjet sistematike të Presidentit Meta jo vetëm që prej marrjes së kësaj detyre, por dhe kur ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë”. 

Deklaratën zëdhënësi Tedi Blushi e mbyll me një informacion mbi ligjet që presidenti ka marrë në shqyrtim e ka dekretuar. Në total janë 193 që nga Korriku i vitit 2017 kur ka marrë detyrën./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!