Presidenti i Republikës Ilir Meta, duke folur nga Selia e Kryegjyshatës Botërore i ka uruar besimtarët myslimanë për Kurban Bajramin.
Duke iu referuar harmonisë dhe bashkëpunimit mes udhëheqësve të besimeve fetare në Shqipëri, kreu i shtetit u shpreh se uron që edhe politika të mësojë prej tyre.
Meta u shpreh:
“Urimet më të mira për të gjithë besimtarët myslimanë por edhe qytetarët tanë, sepse kjo është vetëm një ditë vëllazërimi e solidariteti, por edhe një ditë shumë e rëndësishme, që na fton të bëjmë sakrifica për ta forcuar këtë vëllazërim, solidaritet e bashkim.
Edhe një herë falenderoj udhëheqësit tanë për harmoninë që ata e kanë ruajtur, e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme. Që bëjnë çdo gjë për të mbajtur popullin të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, kombëtare, por edhe evropiane.
Uroj që edhe politika të mësojë, të marrë këtë shembull të frymës së bashkëpunimit, mirëkuptimit, të interesave më të mëdha të qytetarëve, por në çdo rast jam i sigurt që populli do të udhëhiqet nga kjo harmoni, që frymëzojnë këta udhëheqës të nderuar, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të edukuar qytetarët me vlerat më të mira njerëzore, hyjnore e atdhetare.
Është një ditë e rëndësishme sot për t’u angazhuar të gjithë së bashku për anëtarësimin në BE dhe për të hequr çdo pengesë, sa më shpejt, që frenon këtë ëndërr të jashtëzakonshme, në mënyrë që të mos na ikin më të rinjtë dhe të kthehen edhe ata që kanë ikur…” /abcnews.al/