Presidenti i Republikës Ilir Meta paraditen e kësaj të henë vetëm pak orë para manifestimit të thirrur në mbrojtje të Kushtetutës është takuar me Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman.
Në këtë takim kreu i shtetit e ka falenderuar ministin për ndihmën që qeveria kroate ka dhënë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Duke e uruar Kroacinë në kryesimin e Këshillit të BE-së, Meta theksoi se 9 kushtet e Bundestagut janë tregues i krizës ku ndodhet sot Shqipëria, dhe udhërrëfyes për çeljen e negociatave të anëtarësimit.
“Mesazhi i përforcuar i Bundestagut vetëm pak ditë më parë ishte: Një vend kandidat duhet medoemos të ketë një sistem funksional të kontrollit dhe balancës dhe zbatimi i prioriteteve duhet të bëhet në përputhje të plotë me çdo parashikim kushtetues”, ka thënë presidenti Meta./abcnews.al