Presidenti Ilir Meta ka shprehur mbështetjen e tij për partitë shqiptare në zgjedhjet e Malit të Zi, të cilat mbahen më 30 gusht.
Kreu i shtetit përmes një mesazhi shpreh bindjen se bashkëkombasit në Malin e Zi, do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, por edhe për të mbështetur alternativat shqiptare.
Po ashtu, Meta thekson se duhet të jemi krenar për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot.
“Zgjedhjet e 30 gushtit janë një mundësi e shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Malit të Zi, për të forcuar akoma më shumë perspektivën europiane të vendit të tyre.
Me këtë rast, shpreh bindjen se bashkëkombasit tanë në Malin e Zi, do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike përmes pjesëmarrjes së gjerë, por njëkohësisht përmes mbështetjes së tyre për alternativat shqiptare, në mënyrë që përfaqësimi i tyre në Parlamentin e Malit të Zi të rritet, si dhe në të gjitha institucionet e ardhshme qeverisëse.
Të jemi krenar për rolin dhe kontributin historik që faktori shqiptar në Malin e Zi ka luajtur deri sot.
Por pa dyshim që do të luajë edhe në të ardhmen, për të garantuar perspektivën europiane të këtij vendi mik, fqinj dhe partner i pazëvendësueshëm, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, u shpreh Meta./abcnews.al


