Sali Berisha duket se po i kthen borxhin Ilir Metës. Propozimi i emrit të tij në listën e sigurt për deputet në qarkun e Fierit, për kryetarin e Partisë së Lirisë do të thotë të fitojë pikërisht lirinë.
Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi iu shmang një përgjigjeje direkte kur u pyet nga ABC Neës se çfarë ndodh më 12 maj, nëse Ilir Meta zgjidhet deputet.
“Nuk mundet në këtë moment të jap një vendim për një çështje e cila mund të jetë potencioalisht objekt i shqyrtimit nga komisioneri madje edhe nga institucione të tjera. Ajo çfarë Kushtetuta parashikon është fakti që çdo kandidat për deputet që shpallet fitues, e fiton mandatin që nga momenti që komisioni përkatës zgjedhor e konfirmon si të tillë, si kandidat fitues.”
Kushtetuta e Shqipërisë parashikon në nenin 71 të saj se mandati i deputetit fillon ditën kur ai shpallet i zgjedhur nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Po i njëjti nen flet edhe për rastet se kur hiqet mandati i deputetit. Pikërisht në rastin kur individi dënohet me vendim të formes së prerë. Por ky, nuk eshte rasti i Ilir Metës. Deri më tani nuk ka nje proces gjyqësor që të ketë marrë një vendim ndaj ish presidentit të burgosur në 21 tetor. Në rast se para datës 11 maj, do të kishte një vendim për denimin e tij, ateherë rasti i tij do të shkonte si precedent i krijuar nga Fredi Beleri, por koha deri më 11 maj, nuk premton që para kësaj date, të ketë një vendim për të.
Afat tjetër, është mbledhja e parë e Kuvendit të ri. Nëse edhe deri atëherë nuk ka një vendim për dënimin e Ilir Metës, betimi i tij si deputet do të duhet të bëhet brenda sallës së Kuvendit. Pas betimit, në rast se SPAK do të kërkojë një masë për të do duhet të marrë autorizim, sepse si deputet, ilir meta do te gezoje mburojën e imunitetit.
Megjithatë rasti Meta nuk do të ishte i pari.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur edhe në zgjedhjet parlamentare të 2001. Azgan Haklaj, kandidati i Partisë Demokratike u zgjodh deputet ndersa ndodhej në dhomat e paraburgimit si i dyshuar për organizimin e rremujave në Tropojë, ne nentor te vitit 2000. Pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i dha atij mandatin e deputetit, ai bashke me mandatin, fitoi imunitetin dhe lirinë./abcnews.al