Meta letër Brukselit: Ndërhyni, mazhoranca po thellon krizën, po kap “Kushtetuesen”

schedule19:12 - 5 Mars, 2020

schedule 19:12 - 5 Mars, 2020

Një ditë pasi Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë, Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varheli ka marrë një letër 3 faqëshe nga Presidenti shqiptar, Ilir Meta.

Mazhoranca ishte e para që foli për ekzistencën e kësaj shkrese.

“Me lloj-lloj letrash drejtuar presidenteve apo anëtare evropianë. Me vjen keq se si përfundoi PD të jetë shtojcë e Ilir Metës”, tha Balla.

Në këtë letër, Meta rreshton një sërë akuzash ndaj mazhorancës, kryesisht lidhur me emërimet e gjyqtarëve kushtetues.

“Padiskutim ka një mosmarrëveshje,  në lidhje me procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues, por kjo vjen nga interpretimi i ndryshëm prej shumicës qeverisëse e cila tenton të kapë Gjykatën Kushtetuese të vendit duke e thelluar krizën mes palëve në Shqipëri.

Oreksi politik i mazhorancës socialiste kërkon të prishë këtë balancë, në mënyrë që të vendosë nën kontroll politik Gjykatën”.

Presidenti ka ankesa dhe për misionin e BE-së në Shqipëri, Euralius, i cili punon me të gjitha palët në fushën e legjislacionit.

“Dua t’u theksoj se i vetmi aktor që në mënyrë të pashpjegueshme që nuk më është përgjigjur është misioni EURALIUS 5, një trupë e thirrur për të ndihmuar autoritetet në këtë çështje lidhur me reformat e BE”.

Ilir Meta këron ndihmë nga Brukseli që situata të mos rëndohet dhe garanton se ai vetë nuk do të lëkundet në betejën e tij.

“Besoj se Komisioni Europian duhet të vihet me gjithë zemër në krah të interesave të popullit shqiptarë. Çdo lloj mbështetje në gërryerjen e mëtejshme të demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tim, do të përshkallëzojë krizën aktuale dhe inkurajojë ç’popullimin e Shqipërisë.

Unë do të qëndroj i  palëkundur në mbrojtje të integritetit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese si e vetmja shpresë për një qeverisje me llogaridhënie përmes parimit Check and Balance, në mënyrë të posaçme përballë kësaj situate politike dramatike në Shqipëri.”

Pasi letra u publikua në media, Presidenti e postoi atë në FB, me argumentin për të shmangur çdo keqkuptim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!