ARGUMENTET/ Meta “rrëzon” ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ligji kthehet në Kuvend

schedule12:08 - 23 Tetor, 2020

schedule 12:08 - 23 Tetor, 2020

Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara më herët vetëm me votat e maxhorancës si edhe të disa deputetëve nga opozita parlamentare.

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor shkaktuan reagimin e fortë të opozitës pasi sipas saj u bënë jashtë kuadrit të marrëveshjes së 5 qershorit duke cënuar drejtpërdrejt zgjedhjet e ardhshme.

Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor cenojnë frymën dhe themelin e dakordësisë së arritur në vend përmes Marrëveshjeve të forcave politike të datës 14 Janar dhe 5 Qershor 2020, të cilat kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri“, argumenton Meta.

Në relacionin që shoqëron dekretin për kthimin e ligjit, Meta shprehet se ndryshimet u bënë në mënyrë të njëanshme.

Po ashtu, Presidenti shprehet se ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor përpiqen të krijojnë një ambient elektoral rregullash që favorizojnë mazhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të ndikojnë në leximin real, të qartë dhe objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor.

Argumentet e përmbledhura të Metës për kthimin në Kuvend të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor:

– Janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe parimet themelore demokratike të mbrojtura prej saj;

– Këto ndryshime të rregullave zgjedhore, cenojnë parimet domokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme;

– Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë realizuar në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15-kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndërqeveritare;

– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre;

– Këto ndryshime të njëanshme në Kodin Zgjedhor janë në kundërshtim flagrant me parimet dhe standartet evropiane të vendosura nga Komisioni i Venecias në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore, si udhërrëfyesi i vetëm për vendet e Këshillit të Europës për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të lira e të ndershme;

– Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor krijojnë një pozitë të pabarabartë, diskriminuese, duke rëndë ndesh si me Kushtetutën dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut;

– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 Tetor, për shkak të pozitave diskriminuese që ato përmbajnë krijojnë një terren shumë polarizues në vend. Kjo pozitë rëndohet edhe më
shumë para faktit që në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, çdo kundërshtim i këtyre dispozitave lidhur me antikushtetutshmërinë e tyre nuk mund të marrë së shpejti një përgjigje përfundimtare;

– Ndryshimet e njëanshme cenojnë kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian, çka do të përkthehet me një tjetër vendim negativ për Shqipërinë, duke cenuar drejtpërdrejt ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit;

– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor cenojnë frymën dhe themelin e dakordësisë së arritur në vend përmes Marrëveshjeve të forcave politike të datës 14 Janar dhe 5 Qershor 2020, të cilat kishin si qëllim të garantonin një minimum standardesh për zgjedhjet në Shqipëri;

– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor përpiqen të krijojnë një ambjent elektoral rregullash që favorizojnë mazhorancën qeverisëse ku përmes rregullave ambigue e të fshehura, ato do të
ndikojnë në leximin real, të qartë dhe objektiv të vullnetit të sovranit në këtë proces zgjedhor;

– Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedh elektorale, i votimit, numërit, dhe ai ankimor deri në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, të zhvillohet nën një klimë të polarizuar politike, antagoniste, të mungesës së besimit ndërmjet palëve, që rrjedhimisht mund të sjellin si pasojë cenimin e standardeve zgjedhore, prishjen e paqes sociale dhe mundësinë e rritjes së tensionit në jetën shoqërore në vend;

– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, janë realizuar ndërkohë që Presidenti i Republikës që prej datës 6 shtator 2020 me Dekretin nr. 11700, ka caktuar datën e zgjedhjeve për Kuvendin, ditë e dielë, datë 25 prill 2021, duke prishur kështu rregullat e një procesi zgjedhor që tashmë ka filluar, në shkelje të parimeve demokratike;

– Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, cenojnë parimin kushtetues të sigurisë juridike dhe bien ndesh me jurispudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;

– Ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor të datës 5 tetor 2020, cenojnë parimin e procesit të rregullt ligjor, si dhe të drejtën për të zgjedhur e për t`u zgjedhur, e mbi të gjitha parimin
e barazisë së votës.

Cilat janë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që u rrëzuan nga Meta: 

Në ndryshimet në Kodin Zgjedhor përcaktohet se pragu kombëtar do të jetë 1 %, do të ketë  ri-renditje të pjesës së parë të listës së kandidatëve bazuar tek vota preferenciale, i jep të drejtë kryetarit të partisë të garojë në 4 zona zgjedhore njëkohësisht dhe se për të kaluar pragun e listës, kandidatëve u vendoset prag tavan 10 mijë vota si dhe heqja e koalicioneve të përbëra dhe kandidimi me listë unike.

Renditja e listës 

Lista bëhet nga kryetari i partitë. Kandidati mund ta prishë këtë renditje të bërë nga partia, vetëm nëse merr me shume votat parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në një qark të caktuar.

Ky ”pragu” me amendamentet e reja të propozuara sot nga Partia Socialiste është ulur në një maksimum prej 10 mijë votash.

Shpërndarja e mandateve

Sipas formulës së PS, shpërndarja e mandatit fillon sipas renditjes së kandidatëve nga i pari tek i fundit, në bazë të listës që ka bërë kryetari i partisë.

Renditja e kandidatëve ndryshon vetëm nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madhe se herësi, që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara, por jo më shumë se 10 mijë vota.

Për shembull marrim qarkun e Shkodrës që ka gjithësej 11 mandate dhe çdo parti ka dorëzuar një listë me nga 11 kandidatë të renditur me preferencë kryetari e jo me short apo rend alfabetik.

Nëse Partia Socialiste në qarkun Shkodër ka marrë 50 000 vota dhe ka fituar përmes tyre 5 mandate, llogaritet se një mandat deputeti korrespondon me 10 mijë vota.

Deri në këto momente  fitues llogariten 5 kandidatët që kryetari i partisë ka renditur të parët.

Shembull hipotetik i ndarjes se mandateve sipas formulës së re.

LEXO edhe: Abc News zbardh formulën e Ramës për Kodin Zgjedhor: Lista 100 % të hapura, fituesit i “cakton” kryetari

Renditja mund të prishet vetëm nëse poshtë vijës së kuqe ka kandidatë që janë votuar më shumë se sa ata që janë sipër vijës.
Po kjo nuk mjafton.

Përveçse më të votuar, emrat poshtë vijës që të kalojnë në listën fituese duhet të kenë kaluar dhe pragun e votave mesatare. (Në rastin e shembullit tonë duhet të kenë marrë të paktën 10 001 vota).

Në këtë rast, kandidati kalon në listën fituese duke spostuar emrin e fundit të renditur nga partia në pjesën fituese (gjithnjë nëse është më i votuar se sa ai). Pra sipas këtij shembulli, digjet i rendituri i 5-ti. Tjetri sposton të 4-tin, e me radhë.

Pra emrat e votuar më shumë se mesatarja që janë poshtë vijës së kuqe, “vrasin” me radhë nga fundi të preferuarit e kryetarit. Kjo bën që të renditurit në fillim ta kenë thuajse të garantuar fitoren.

Koalicionet

Me ndryshimet e miratuara, partitë politike që duan të garojnë në 25 prill 2021,  në koalicion mund ta bëjnë vetëm me listë unike dhe në një sigël të vetëm.

Kjo pikë u kundërshtua me forcë nga opozita jashtëparlamentare.

Lexoni të PLOTË arsyetimin e Presidentit Meta për kthimin e ligjit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!