Presidenti Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj për rishqyrtim në Kuvend. Kësaj radhe, bëhet fjalë për ligjin e ndryshimeve në paketën fiskale për tatimin mbi të ardhurat. Sipas kreut të shtetit neni 6 i këtij ligji të ndryshuar shkon kundër interesit publik, duke ulur ndjeshëm tatimin ndaj bizneseve në fushën e lojërave të fatit.
Presidenti Meta nuk ndalet!
Pas kthimit për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për Teatrin Kombëtar, rradha është e ndryshimit të atij “për tatimin mbi të ardhurat”. Shkak për kthimin e këtij ndryshimi në paketën fiskale, të miratuar në seancën parlamentare të 9 Korrikut, duket se është bërë neni 6 i tij.
Argumenti i kreut të shtetit në dekretin nr. 10850 përcakton se neni 6 i ligjit të ndryshuar sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve në fushën e lojërave të fatit.
Ky nen nuk është në interes të publikut, thekson institucioni i presidentit duke nënvizuar edhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit dhe ekonominë familjare si negative në rast miratimi të ligjit.
Kjo bie në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit të parashikuar në Kushtetutë si dhe me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të këtij biznesi.
Sipas presidentit, ndryshimi i nenit 6 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, ashtu si është miratuar nga mazhoranca në komisione dhe parlament, sjell tatimin me 15% të fitimeve bruto dhe jo 15% të xhiros, duke ulur ndjeshëm nivelin e taksave ëpr këtë lloj biznesi.
Në vijim, presidenti ka dekretuar shpalljen e ligjeve të tjera të miratuara nga Kuvendi si tatimi mbi vlerën e shtuar i ndryshuar, ligjin për sistemin e taksave vendore të ndryshuar por edhe marrëveshje apo ratifikime memorandumesh./abcnews.al