Kriza e futbollit nuk po zgjidhet, edhe pse shpresat janë rritur disi pas takimit të ditës së hënë midis Ligës Profesioniste të Futbollit dhe Fidel Yllit, deputetit socialist dhe personit që ka përzgjedhur kryeministri Edi Rama për të zgjidhur këtë ngërç.
Dhjetë klubet e Superiores nuk heqin dorë nga 4 kërkesat e tyre dhe kanë zgjedhur rrugën e bojkotit deri në momentin që autoritetet shtetërore do t’u plotësojnë atë që duan. Rreth këtij momenti ka reaguar edhe Ilir Meta, presidenti i Republikës së Shqipërisë. “Kriza e thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët.
LEXO EDHE: E konfirmuar: Shtyhet kampionati, klubet e Superiores e ndajnë mendjen
Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020/2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.
I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjore”, shkruan Meta në faqen e tij zyrtare. /abcnews.al