Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vë në dukje nevojën për strategji dhe politika ekonomike afatgjata dhe të qarta. Kjo për të rritur konkurrencën e bizneseve shqiptare, sidomos në tregjet ndërkombëtare. Sipas Kreut te Shtetit, politika duhet të arrije konsensus mbarëkombëtar për gjetjen e modelit të duhur.
Sfiduese!
Të tilla i sheh Presidenti i Republikës, Ilir Meta, negociatat me Bashkimin Europian.
Kreu i shtetit ndalet në aspektin ekonomik
Ilir Meta: “Pa dyshim që ky udhëtim do të jetë i gjatë dhe i vështirë, por transformues për ekonominë shqiptare dhe biznesin tonë.
Në planin ekonomik, negociatat me BE-në do të jenë sfiduese sepse do të shërbejnë si një test disipline tregu dhe konkurrence për biznesin dhe produktet tona.”
Presidenti i Republikes apeloi per konsensus mbarëkombëtar politik për përzgjedhjen e modelit të duhur të zhvillimit ekonomik.
Ilir Meta: “Për të përmbushur këtë ambicie na duhet një konsensus mbarë-kombëtar politik në përzgjedhjen e modelit të duhur të zhvillimit ekonomik, sikurse na duhen strategji dhe politika ekonomike afatgjata dhe të qarta në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar sidomos në tregjet evropiane dhe ato ndërkombëtare.
Dua të theksoj se është detyra jonë që në procesin e këtyre negociatave të vendosim rëndësinë e këtij procesi mbi çdo agjendë të njëanshme duke ndërgjegjësuar qytetarët dhe bizneset shqiptare për sfidat dhe për oportunitetet, për kostot dhe përfitimet e këtij procesi kaq historik”.
Një alternativë janë prodhimet “Made in Albania”.
Ilir Meta: “Ne duhet të fokusohemi në avantazhet tona krahasuese për nxitjen e prodhimit vendas dhe eksportit të produkteve “Made in Albania”, të cilat përmes një marketingu të zgjuar dhe efikas mund të “internacionalizohen” si marka në tregun rajonal dhe botëror.Pavarësisht se globalizimi ka zbehur rëndësinë e kufijve gjeografik dhe politikë sikurse ka rrëzuar edhe barrierat kulturore mes vendeve dhe popujve, bashkimi ekonomik që ai krijon nuk përbën kërcënim për ekzistencën e identiteve dhe simbolikave kombëtare apo për promovimin e produkteve me “marketing identitar”.
Kreu i Shtetit mori pjesë në aktivitetin “Gjergj Kastrioti në ekonominë shqiptare”, ku nxiti gjithashtu kërkimet e mëtejshme për figurën e Skënderbeut./abcnews.al