Meta kallëzim penal për kreun e KED, reagon Ardian Dvorani

schedule17:07 - 15 Nëntor, 2019

schedule 17:07 - 15 Nëntor, 2019

Kreu i KED, Ardian Dvorani ka reaguar pas deklaratës së Metës i cili u shpreh se do e kallëzonte penalisht të hënën.

Dvorani në një qendrim për mediat bën me dije se ka mësuar që kreu i Shtetit ka vendosur ta kallëzojë penalisht. Sipas tij Presidenti po ushtron një të drejtë që gjithësesi Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.

“Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje.

Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.

Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.

Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës.

Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi”, ka deklaruar Dvorani.

Presidenti Ilir Meta njoftoi përmes një konference të jashtëzakonshme për shtyp pasditen e sotme se do të kallëzonte penalisht kreun e KED për shpërdorim detyre./abcnews.al