Meta i përgjigjet Ramës: Nuk ka fuqi në botë që t’i bëjë presion Presidentit

schedule09:38 - 11 Janar, 2019

schedule 09:38 - 11 Janar, 2019

Kreu i Shtetit Ilir Meta ka reaguar ashpër sot në mëngjes përmes përmes një mesazhi të gjatë në rrjetet sociale, pas deklaratave të bëra dje nga kryeministri Rama pas mosdekretimit të Gent Cakajt nga Presidenti Meta, në postin e Ministrit të jashtëm.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë”– shprehet Meta.

“Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”- vijon më tej kreu i shtetit.  Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare”– thekson Meta.

“Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para”– përfundon Presidenti i Republikës mesazhin e tij. /abcnews.al